Shifrat e Ronaldos sfidojnë edhe vetë Messin

13/04/2012 13:35

Shifrat e Cristiano Ronaldos në këtë sezon janë një sfidë për t’u arritur edhe për vetë tre herë fituesin e Topit të Artë, Lionel Messi.

E përditshmja spanjolle “AS” realizoi një përllogaritje, në bazë të së cilës rezulton se Cristiano ka realizuar 138 gola për Realin në vetëm 136 ndeshje të zhvilluara, për një total prej më shumë se një goli për ndeshje.

Në këtë drejtim, portugezi lë pas me diferencë edhe legjendat e klubit më të suksesshëm në botë, Puskas (0,93 gola për ndeshje), Di Stefano (0,77) dhe Hugo Sanchez (0,73).

Deri në këtë pikë të kampionatit të deritanishëm, Ronaldo ka realizuar 40 gola, duke kaluar rekordin e Zarrës (50-51) dhe Sanchez (1989-90), që me 38 gola të shënuar u duk se kishin vendosur një rekord të pathyeshëm.

Nëse do të ruajë këtë ritëm, portugezi mund të përfundojë këtë sezon me 47-48 gola të shënuar vetëm në Primera Division.

Rekorde të tjera që mban Cristiano është ai i 15 trigolashëve, i realizimit të 20 golave jashtë shtepie dhe i 22 penalltive të konvertuara në gol radhazi, tre më pak se Kuman dhe një më pak se Kubala, mbajtësit e rekordit.

Top Channel