Robben: Më vjen turp për penalltinë e humbur

13/04/2012 17:50

Në golin e vetëm të takimit të shënuar nga Borussia Dortmund, ishte lojtari që mbajti në pozicion të rregullt Lewandovskin, i cili shënoi me takë. Më pas humbi 11-metërshin e fituar vetë e për ta mbyllur humbi edhe një rast të pastër përballë portës së boshatisur në fund të takimit.

Kjo ishte mbase ndeshja më e keqe në karrierën e Arjen Robben, mesfushorit hollandez të Bayern Munchen, i cili u kritikua ashpër edhe nga presidenti i nderit i bavarezëve Franz Beckenbauer.

“Nuk ishte një goditje 11-metërshi, por një pasim tek portieri. Unë mendoj se asnjëherë nuk duhet ta godasë penalltinë lojtari që e fiton”, u shpreh legjenda e futbollit gjerman gjatë komentit të supersfidës Borussia Dortmund-Bayern Munchen në televizionin Sky.

Ndërsa Robben shprehu keqardhjen e tij pas takimit: “Më vjen shumë turp. Kam tre vite që nuk humbas asnjë penallti, por kësaj radhe… Mendoj se Borussia Dortmund është kampione tashmë.”

Nuk është hera e parë që Robben vihet në qendër të kritikave pasi në vitin 2010 u qortua nga mediat hollandeze pasi nuk arriti të mundte dot spanjollin Casillas vetëm për vetëm në minutat e fundit të finales së Botërorit, kur rezultati ishte ende 0-0.

Top Channel