Moratti: Admiroj Juven. Leonardo nuk rikthehet

13/04/2012 09:40

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, në një prononcim për shtyp gjatë së premtes, pranoi edhe një herë admirimin e tij ndaj Juventusit të këtij sezoni, ndërsa i mbylli derën përfundimisht mundësisë së një rikthimi të Leonardos në radhët e zikaltërve.

”Jam i mrekulluar nga Juventusi, që po arrin një rendiment dhe efikasitet që askush nuk e mendonte të mundur prej një skuadre të tillë. Mendoj se është një risi e bukur e futbollit italian, ndonëse në aspektin e individualiteteve, Milani mbetet ende disi më lart”, deklaroi Moratti, i cili sheh i qetë luftën e dy rivalëve historike për titull në këtë sezon.

Megjithatë, me Interin në vendin e shtatë, sezoni nuk ka përfunduar, pasi objektivi Champions është ende i arritshëm. “Çdo pikë që kemi lënë rrugës na bën të pendohemi që nuk dhamë diçka më shumë në një moment të caktuar. Deri në fund na presion ndeshje të vështira, por nëpërmjet një serie fitoresh, gjashtë pikë që na duhen për vendin e tretë mund të fitohen. Mendoj se jemi ende në garë për kualifikimin në Champions”.

Pasardhësi i Ranierit, Stamaçioni, ka arritur të fitojë shtatë pikë në tre ndeshjet e tij të para në stolin e zikaltërve. “Përderisa u zgjodh, kishte ende shpresë. Për të nuk ishte e lehtë, por ajo që më pëlqen më shumë tek trajneri ynë është thjeshtësia nëpërmjet të cilave përpiqet të bëjë gjërat”.

Pronari i Interit, gjithashtu deshi t’i vinte një “gur” përsipër të gjitha spekulimeve për një rikthim të Leonardos në klub, pas një largimi të tij të mundshëm nga Paris SG. “I kam lexuar edhe unë ato spekulime, por për momentin nuk ka asgjë konkrete. Me të dëgjohemi herë pas here dhe për herë të fundit kam folur gjatë operacionit të Thiago Mottas. Megjithatë, që prej largimit të tij, nuk kemi folur më kurrë për mundësinë e ndonjë rikthimi”.

Top Channel