Inter dhe “pakti i fitores”

13/04/2012 15:35

Pas shtatë pikëve të marra në tre ndeshje, Interi i trajnerit Stramaccioni përgatitet për sfidën e vështirë ndaj Udineses me një objektiv të vetëm: fitoren.

Tekniku i ri i zikaltërve ka zbuluar për gazetarët italianë se çfarë i ka thënë presidenti Moratti në takimin e pare mes tyre: “Kur folëm për herë të parë më tha: duhet të fitosh! Është një marrëveshje e zakonshme që Moratti do e bëjë edhe me shumë trajnerë të tjerë që do të ulen në këtë pankinë.”

Ndërkohë Stramaccioni mendon për sfidën e së shtunës në mbrëmje (20.45) ndaj Udinese: “Udinese ka bërë një kampionat shumë të mirë dhe ka cilësi. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne.”

Për ata që prisnin më shumë të rinj në formacionin e Interit, tekniku i zikaltërve përgjigjet: “Në kampionatin italian është e vështirë që lojtarët më të mirë të ekipit të të rinjve të afirmohen siç ndodh në vende të tjera. Mua më është kërkuar të nxjerr maksimumin me këtë skuadër dhe duhet të hedh në fushë Interin më të mirë.”

Top Channel