“Qeveria dështoi me punësimin”

13/04/2012 00:00

Partia Socialiste shpalosi ditën e premte vizionin e saj politik për zhvillimin e punësimit në Shqipëri. Kryetari i PS-së, Edi Rama foli gjatë prezantimit të projekt-programit të opozitës, për një pamje të zymtë të punësimit në vend.

Për kryetarin e partisë më të madhe opozitare, praktikat e qeverisë për të hapur vende të reja pune, rezultojnë të dështuara. Zoti Rama ripërsëriti se në Shqipëri ka 1 milion të papunë duke shtuar se në 7 vjet qeverisje reformat e qeverisë nuk përmirësuan situatën e punësimit.

“Nuk ka sjellë asnjë rritje të punësimit Shqipëria 1 euro, nuk ka sjellë asnjë rritje të punësimit Shqipëria superfuqi e vogël energjitike, nuk ka sjellë asnjë rritje të punësimit krijimi në letër i tetë zonave të lira ekonomike, nuk ka sjellë asnjë rritje të punësimit i ashtuquajturi bum turistik i Shqipërisë, nuk ka sjëllë rritje të punësimit as mbjellja imagjinare e miliona ullinjve, nuk ka sjellë rritje të punësimit as taksa e sheshtë”, deklaroi zoti Rama.

Opozita premton se me programin e saj politik që po përgatitet, do të 10-fishojë fondet për rritjen e punësimit në vend. Për Partinë Socialiste, rritja e qendrueshme ekonomike e vendit do të sigurojë punësimin.

“Do ta 10-fishojmë financimin publik për punësimin nisur nga çka sot paguhet për punësimin. Kjo nuk është një shifër astronomike e paarritshme, por e mirëllogaritur brenda gjithë planit të rindërtimit të një modeli të ri ekonomik dhe qeverisës. Programi i deritanishëm i papunësisë duhet shndërruar dhe ne do të shndërrojmë në një program të rritjes së punësimit. Modeli i mbrojtjes shoqërore dhe marrëdhënia e punës që ne synojmë duhet të jenë një kombinim i fleksibilitetit  me punëdhënësin me mbrojtjen dhe sigurinë për punëmarrësin”, tha Rama.

Top Channel