Supersfida Skënderbeu-Tirana

12/04/2012 20:15

Kjo fundjavë duket se do të vendosë përfundimisht se cila nga skuadrat mes Tiranës dhe Skëndërbeut do të jenë më pranë titullit, për të mos thënë se është përballja vendimtare për të dyja këto ekipe.

Tirana shkon e plotë në këtë takim, përveç Tushes i cili është i pezulluar dhe është dënuar me 6 javë për një gjest jo sportiv në ndeshjen e fundjavës së shkuar me Apolloninë.

Pikërisht për këtë trajneri Rubio duket shumë i nevrikosur: “Të dëmtuar nuk kemi, kemi një mungesë për shkak dënimi që është Tushe dhe më duket një padrejtësi e madhe ajo që u bë ndaj tij, pasi ka marrë një dënim sikur ka vrarë ndokënd. Une besoj se duhet ta rishoh këtë ndëshkim pasi nuk është aspak i drejtë. Pjesa tjetër e skuadrës është e mirë përveç disa lojtarëve që kanë 3-4 javë që nuk kanë bërë stërvitje me ritëm të plotë.”  

Sa i përket përballjes direkte, Rubio mendon se do të përballen si të barabartë, pasi nuk i trembet kampionëve.

“Ne do të përballemi me atë Skënderbe që do të jetë në fushë dhe nuk i druhemi. Nuk jam parashikues të them se sa shanse kemi, por mund të siguroj që ne do të futemi në fushën e lojës për të fituar dhe për të luajtur ndershmërisht”, thekson tekniku spanjoll.  

Ndërkohë si rrallë herë trajneri çek i Skëndrbeut Stanislav Levi në një konferencë për shtyp ka theksuar të njëjtat gjëra me kolegun e tij spanjoll: se do të futet në fushën e lojës për të njëjtin qëllim, për të fituar e për të dalë me sukses nga këto 90 minuta.

“Na pret një ndeshje e vështirë këtë fundjavë me një kundërshtar që ka të njëjtat synime. Skuadra jonë kundërshtare e së shtunës është e përgatitur mjaft mirë nga trajneri Rubio, prandaj kjo do të jetë një ndeshje e fortë e luajtur në një atmosferë të shkëlqyer. Ne do të bëjmë maksimumin që të fitojmë ndeshjen e të festojmë ne në fund”, deklaroi Levi.

Duket se e pret një atmosferë e zjarrtë këtë përballje mes Tiranës dhe Skëndërbeut, një ndeshje e cila në këto dy vitet e fundit është shndërruar në derbin e Shqipërisë. Atmosfera në Korçë gjithmonë ka qenë model dhe spektakolare në ndeshje të tilla, aq më tepër kur nga Tirana do të nisen rreth 600 tifozë për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës.

Gjthçka rreth kësaj supersfide do të zbulohet ditën e shtunë në orën 19.00, në stadiumin e Skëndërbeut.

Top Channel