Ëndrra artistike e piktorit Hermon Madhi është transmetuar tek publiku me anë të një ekspozite vetjake në ambjentet e galerisë FAP në kryeqytet.

“Atraksion 3” përmban 20 punime vaji në telajo që sjellin vizionin e autorit të mbushur me dritë, ajër dhe dashuri. Pikturat e Hermon Madhit janë një ndërthurje e stilit neo-impresionist me atë surreal dhe përcjellin tek publiku një realitet imagjinar, ku ëndrra e autorit merr jetë.

Në një botë të mbushur me situata problematike, me anë të krijimeve të tij Madhi përhumbet në një dimension tjetër ku jeta është e ndritshme, shumëngjyrëshe dhe e zhytur në pozitivitet. Elementet e ndryshëm që formojnë bazën e ekzistencës dhe nevojave njerëzore si dielli i kuq, natyra apo shtëpia, të cilët formojnë thelbin e pikturave, përzihen me njëri-tjetrin duke plotësuar një tablo të gëzueshme.

“Mbaj mend fjalën e Kennedy “I have a dream” (Kam një ëndërr) dhe mendova që edhe unë të vija në jetë ëndrrën time për një botë plot ngjyra dhe dritë”, shprehet piktori.

Hermon Madhi ka lindur në Tiranë në mars të vitit 1970. Kjo është ekspozita e tij e shtatë personale pas një karriere të gjatë artistike prej mëse 20 vitesh. Aktualisht jep mësim në degën e Pikturës, pranë Liceut Artistik në kryeqytet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA