Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Presidentit Bamir Topi, i cili disa muaj më parë kërkoi interpretimin përfundimtar nga kjo gjykatë për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes Presidencës dhe Kuvendit të Shqipërisë për emërimin e anëterëve të Gjykatës Kushtetuese.
Burime brenda mbledhjes ku u zhvillua votimi konfirmuan për Top Channel se vendimi nuk ka qenë unanim, por megjithatë me diferencë jo të ngushtë votash.
6 prej anëtarëve kanë votuar për të rrëzuar kërkesën e presidentit Bamir Topi, ndërsa 3 anëtarë votuan pro kërkesës.
Konflikti midis dy institucioneve lindi disa muaj më parë kur parlamenti miratoi vetëm 1 nga 4 kandidatët e Presidentit për anëtarë të Gjykatës Kushteuese.
Pas një vendimi më të hershëm të Gjykatës Kushtetuese për rotacionin e anëtarëve të kësaj gjykate mazhoranca parlamentare çmoi se ky institucion kishte vetëm 1 vend të lirë dhe jo katër sa çishin dekretet e Presidentit.
Për këtë arsye parlamenti i ktheu mbrapsh presidencës tre dekrete, çka u interpretua nga presidenti Topi si një veprim anti-kushtetues dhe që cënonte parimin e ndarjes së pushteteve.
Arsyetimi i vendimit për të rrëzuar këtë pretendim të presidentit Bamir Topi në Gjykatën Kushtetuese nuk është bërë ende publik dhe detajet mbeten të panjohura.
Top Channel