Rama: Prona, themeli i programit tonë

11/04/2012 18:10

Partia Socialiste ka organizuar pasditen e së martës tryezën e radhës, që këtë herë i ka kushtuar vëmendje çështjes së pronave që nuk ka gjetur zgjidhje 20 vjet nga rënia e regjimit komunist.

Në fjalën e tij, kryetari i PS, Edi Rama ka premtuar zgjidhjen e këtij problemi që rëndon shqiptarët, kur partia e tij të vijë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Çështja e pronës është një nga më themeloret në programin tonë. Ajo rëndon mbi qytetarët dhe qeveria prej 20 vjetësh mëkaton me pronën. Ne duam t’i japim fund rropatjes së pronarëve dhe familjeve që kanë kërkuar pronën dhe s’kanë marrë asgjë. Nëse kjo çështje nuk zgjidhet, Shqipëria do të zhytet në errësirë”, ka deklaruar Rama.

Lideri i opozitës ka akuzuar forcat politike, të cilat sipas tij nuk kanë guxuar kurrë të japin një zgjidhje të qartë për çështjen e pronave, të cilat kanë larguar investitorët.

“Politikanët dhe qeveria kanë bërë premtime vetëm për të marrë votat. Qeveria gjatë viteve të fundit ka gënjyer në mënyrë të tmerrshme. Nuk mungojnë zgjidhjet, por mungon vullneti tek qeveria dhe tek administrata”, ka nënvizuar Rama, i cili ka premtuar edhe mbrojtjen e pronës publike.

“Pas rrëzimit të regjimit komunist, shqiptarët kanë shumë më pak prona publike. Ne duam t’i japim fund prishjes së pronës publike”, ka thënë më tej lideri i opozitës.

“Çështja e pronës ka ndërlikuar situatën mes familjeve dhe fiseve. Marrëdhëniet mes njeriut dhe pronës publike apo private do të mbetet një plagë e hapur nëse vazhdohet kështu. Mjafton pamja e katrahurës që zhvillohet këtu për të parë se në ç’situatë rrënqethëse është e nesërmja e Shqipërisë”, është shprehur Rama.

Më herët kryetari i Partisë Socialiste ndaloi në Vlorë, ku në kuadër të fushatës së anëtarësimeve, 900 të rinj dhe të reja të FRESSH morën kartat e anëtarësimit.

Në fjalën e tij Rama u ndal në problemet sociale që po hasin shqiptarët, si varfëria, korrupsioni, papunësia, duke i cilësuar këto fenomene si aleatët e kësaj qeverie, e cila sipas tij ka si qëllim final t’i nënshtrojë e mbajë qytetarët sa më të varfër, në mënyrë që t’i kërcënojë me bukën e gojës. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA