Penalltia që preku gjithë anglezët

11/04/2012 16:00

Ndoshta e ka pritur prej kohësh një mbrëmje të tillë. Brad Jones, 30 vjeç, portieri i tretë i skuadrës së Liverpulit, u shndërrua në heroin e “The Reds” pas pritjes së një 11-metërshi, pritje që i dha 3-pikëshin skuadrës së tij në transfertën përballë Blekbërnit.

Por ajo që preku më shumë tifozeritë e të dyja skuadrave, (një ditë më pas gjithë Anglinë) është prapaskena mjaft prekëse e festimit të tij.

Pas pritjes se penalltisë së goditur nga Yakubu, portieri Jones ngre me gishtin tregues lart dhe mikrofonët anësorë të medias së pranishme në stadium mundën të kapim fjalët e tij: “Lucas, kjo ishte për ty!”. Lucas ishte djali i tij që në 18 nëntor të vitit të kaluar, në moshën 7-vjeçare ndërroi jetë nga leuçemia.

Java që kaloi ishte një javë e ngjeshur për portierin Brad Jones pasi në fillim të saj ai u bë sërish baba, kur bashkëshortja e tij lindi djalin e dytë të çiftit,  Nico Lucas.

“Unë dhe Nico Lucas jemi shumë krenarë për ju, pavarësisht rezultatit dhe Lucas po ju shikon!”, shkruajti në Twitter bashkëshortja e Jones, në momentin kur 30-vjeçari u fut në fushën e lojës.

Portieri i tretë i Liverpulit, që luan për kombëtaren australiane, u thërrit edhe në botërorin e Afrikës së Jugut në 2010, por pak ditë para nisjes së kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik, vendosi të tërhiqej pasi mësoi për sëmundjen e djalit të tij.

Top Channel