Marsela dhe Renisi në “Top Fest”

11/04/2012 20:00

“Top Fest”-i ka filluar dhe “Pasdite” ftoi në studio për të folur rreth pjesëmarrjes së tyre në këtë festival elitar dy artistëve shumë të njohur.

Marsela Çibukaj, finaliste e “The Voice of Albania” tregoi përvojën e saj në këngën e parë shqip me të cilën po konkurron ndonjëherë, ndërsa Renisi, lideri i grupit “Burn”, tregoi prapaskenat e këngës “Njerëz që takoj çdo ditë (Hip)”, e cila ka krijuar shumë debat.

Në studion e “Pasdites”, Renisi e nisi debatin pikërisht nga aspekti më i çuditshëm i këngës, një pjesë e titullit të vendosur në kllapa.

“Kënga flet për fenomenin e hipokrizisë dhe isha unë që këmbëngula për pjesën e fundit në kllapa, pasi është gjysma e fjalës hipokrit dhe për mua plotëson më mirë idenë e mesazhit që dua të transmetoj”, argumentoi Renisi.

Në një pjesë të tekstit, thuhet “dua të zhduk të gjithë hipokritët por kam frikë se do të mbesnim shumë pak”. “Ideja është e qartë, lidhet me fenomenin e hipokrizisë që është bërë gjithmonë e më i përhapur. A do të mbesja unë midis atyre pak që do të mbeteshin? Nuk e di, por di që kështu do të ishte një botë më e mirë për këdo. Ideja e këngës është që nuk duhet të kënaqemi nga fjalët që na thonë në sy, nga ata njerëz që diçka tjetër na thonë dhe diçka tjetër bëjnë sapo u kthejmë shpinën”, shtoi ai.

Janë tre elementë të këngës që kanë tërhequr shumë vëmendje, megafoni me të cilin këndon Renisi në një pjesë të saj, kostumi që ai dhe grupi i tij mbajnë veshur dhe shfaqja në skenë e disa fëmijëve.

“Përsa i përket megafonit dhe kostumit, ideja e tyre është e thjeshtë. Kostumi simbolizon diçka serioze, siç është edhe mesazhi që ne duam të japim, ndërsa megafoni amplifikon mesazhin. Fëmijët kanë arsyen përse janë aty, si simbol i paqes dhe i lumturisë, por edhe ata të lodhur nga hipokrizia që ka lëshuar rrënjë edhe midis tyre”.

Renisi dhe grupi i tij janë bërë të njohur për një stil krejt të veçantë muzikor. Por, a të bën të pasur ky stil, duke qëndruar larg rrymave komerciale? “Muzikës i kam hyrë për pasion sepse ndryshe s’do të bëja këtë muzikë, por ato rryma që janë të kohës. Parësore për mua është kjo dhe ana financiare vjen më pas”, deklaroi Renisi.

Nga ana e saj, Marsela, e cila pritet të debutojë në ditët në vazhdim në “Top Fest”, rrëfeu eksperiencën e parë me muzikën e saj shqiptare. ““Top-Fest” është një pjesëmarrje dhuratë nga Top-Channel, siç u deklarua në natën finale të “Voice”. Është një dhuratë e bukur, me Elton Dedën që kompozoi muzikën e Iris Sojlin e mua që kemi shkruar së bashku tekstin. Kënga do të transmetohet së shpejti në “Top-Fest” dhe të shohim se si do të jetë reagimi i publikut, pasi edhe për mua është hera e parë që prezantohem me një këngë shqip. Jam shumë e lumtur edhe sepse kam punuar me profesionistë të muzikës shqiptare, si Elton Deda, me të cilin kam krijuar një feeling muzikal të rëndësishëm”.

Duke u ndalur tek kënga konkretisht, Marsela shpjegoi: “Ajo quhet “sipar”, si sipari i shfaqjes e teatri në përgjithësi. Është përshkrimi i një reflektimi, i një vajze që mund të identifikohet tek unë dhe vajzat në botë që gjendet në një pasqyrë ku gjen veteven dhe mundohet të rifillojë diçka nga fillimi. Ajo vajzë e sheh vetveten me një melankoni finale, e cila i vjen pas një lidhje të dështuar, ndërsa tek unë konkretisht, më përfshin pasi e lidh me reflektimin që ka çdo artist në një moment qetësie pas një shfaqje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA