Juventus kundër Lacios

11/04/2012 00:00

Sonte luhen ndeshjet e tjera të Serisë A, ku spikat sfida mes Juventusit dhe Lacios në Torino. Bardhezinjtë janë në kërkim të fitores për të rimarrë kryesimin e kampionatit, kryesim që për momentin mbahet nga Milani me një pikë më shumë, ndërkohë që bardhekaltërit e Reja-s kërkojnë mbajtjen e vendit të tretë në klasifikim, vend që u siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.

Në “Juventus Stadium”, trajneri juventin pritet të rikonfirmojë skemën e përdorur ndaj Palermos, 3-5-2, me dyshimin se kush do të luajë në krah të Vuçiniç, Kualjarela apo Matri, ndërkohë që rrokadë pritet edhe në krah, ku në vend të Kaseres pritet aktivizimi i Lihtshtajner dhe De Çeljes në vend të Estigarribias. Në mbrojtje rikonfirmohet Bonuçi që ka kaluar gripin e që plotësohet nga Barzajli dhe Kielini.

Ndërkohë, Lacio paraqitet me disa mungesa, kryesisht në repartin mbrojtës, ku mungon si Konko ashtu edhe Radu. Trajneri Reja pritet ta nisë takimin me 3-5-1-1. Në fushë pritet që të aktivizohet që nga minuta e parë edhe futbollisti i kombëtares shqiptare, Lorik Cana.

Një tjetër takim që mund të vendosë se cila skuadër do të luajë sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve, është edhe takimi Roma-Udineze. Verdhekuqtë, pas humbjes ndaj Leces kërkojnë suksesin për të mos humbur, ndoshta trenin e fundit që të con në Ligën e Kampioneve, ndërsa friulanët synojnë për të ruajtur hapin e Lacios.

Në ndeshjet e tjera, Interi pret në San Siro Sienën dhe në fushë rikthehet Riki Alvarez. Xhenoa pret Cezenën, Fiorentina-Palermon, Parma-Novarën, Katania-Leçe dhe Napoli-Atalanta.

Java kompletohet me Bolonja-Kaljari të enjten në mbrëmje.

Top Channel