Kreu opozitës Edi Rama ka paralajmëruar rrezikun e një falimentimi të
mundshëm që i kanoset kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike,
CEZ.

Sipas tij sektori energjitik në Shqipëri është pllakosur nga një krizë e thellë e diktuar nga përfitimi interesave klienteliste të oborrtarëve të kryeministrit.

“Po rritet eksponcialisht barra mbi të gjitha familjet shqiptare që paguajne energji. Kompania u privatizua me shumë bujë dhe sot, për përgjegjësi të qartë dhe të qeverisë dhe të vetë saj, gjendja është shumë e rëndë dhe janë njerëzit e zakonshëm që po paguajnë koston e padrejtë të një privatizimi të pamenduar mirë. Mbifaturimi masiv i konsumatorëve familjarë, tanimë është një operacion i përditshëm. Kjo ka bërë që janë me mijëra qytetarët, që i janë drejtuar gjykatave”, tha Rama.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Edi Rama është ndalur edhe në shtrenjtësimin e përditshëm të naftës dhe keqmenaxhimin e HEC-eve.

“Nafta eksportohet jashtë vendit shumë lirë, për shak të një privatizimi aspak të studiuar të ARMO-s dhe ajo që është me keqja, vendi vazhdon të importojë me ritme të larta nënprodukte nafte me çmime shumë të larta.Sot kemi një pamje të qartë të pasojave të një politike krejtësisht, aventureske në raport me koncensionet për HEC-et. Ajo që po ndodh sot me sektorin e energjisë dhe në tërësi me burimet natyrore të vendit përbën një bombë me pasoja jashtëzakonisht kërcënuese për stabilitetin e ekonomisë së vendit në periudhën në vijim”, tha Rama.

Një rëndësi të veçantë Rama i ka kushtuar Reformës Zgjedhore për të cilën ai u shpreh se PS do të jetë koherente në përmbushjen e rekomandimeve të OSBE-ODIHR edhe rëndësinë që marrin propozimet e aleatëve.

“Jemi të gatshëm t’i bashkohemi çdo nisme që mund ta marrin forcat e tjera politike pa asnjë paragjykim, sepse bëhet fjalë një reformë për të garantuar votën për çdo zgjedhës dhe jo thjesht për të garantuar një palë apo tjetrën, sepse ka shumë rëndësi që në këtë fazë të reformës zgjedhore, ky debat zhvillohet në mënyrë konstruktive. Asnjë palë nuk ka fuqi t’i imponohet tjetrës. Ne jemi të gatshëm të marrim një nismë publike për ta ndarë këtë debat me gjithë forcat e tjera politike dhe me publikun”, tha Rama.

Kreu i PS-së ka ritheksuar gadishmërinë e PS për t’u kthyer në një zëdhënëse në Komisionin e Reformës Elektorale të partive aleate.

Top Channel