Kroos: Në formë për Dortmundin

10/04/2012 16:10

Toni Kroos, mesfushori qendror i Bayern Munchen, u shpreh në një intervistë për faqen zyrtare të klubit bavarez se ekipi i tij është plotësisht në formë për supersfidën ndaj Borussia Dortmund.

“Po pres me padurim ditën e ndeshjes. Do të jetë një sfidë emocionuese. Jemi të përqendruar plotësisht në transfertën e Dortmundit dhe nuk duhet ta humbim në asnjë mënyrë këtë ndeshje. E dimë shumë mirë rëndësinë e saj”, thekson 22-vjeçari gjerman.

Kroos nuk është i shqetësuar nga fakti se Bayern Munchen ka humbur në tre takimet e fundit të zhvilluara në fushën e kryesuesve aktualë të Bundesligës.

“Nuk kanë rëndësi statistikat, por forma. Kemi fituar disa ndeshje radhazi dhe jemi në formë të mirë në prag të sfidës ndaj Borussia Dortmund. E dimë që ata janë një grup shumë i mirë futbollistësh, por mendoj se ne jemi ekip më i mire teknikisht”, shton mesfushori.

Ndeshja Borussia Dortmund-Bayern Munchen do të luhet të mërkurën në orën 20.00.

Top Channel