Reforma parlamentare, britanikët asistencë

09/04/2012 00:00

Qeveria britanike, nëpërmjet Fondacionit Westminster për Demokraci në Londër, po asiston komisionin e reformës parlamentare, nëprmjet një eksperti i cili ka komentuar propozimet e ardhura nga opozita për ndryshimin e rregullores së Parlamentit.

Nga burime dipllomatike në Tiranë, Top-Channel ka mundur të sigurojë dokumentin përmes të cilit eksperti britanik për çështjet parlamentare dr. Phil Larkin, ka krahasuar amendamentet e paraqitura nga opozita me atë çfarë kërkohet në progres-raport dhe rregulloren e Parlamentit Europian.

Propozimet e anëtarëve të opozitës në komisionin e reformës zgjedhore lidhen me votën e fshehtë, votimet e gjyqtarëve, 60 minutëshin e dikutimeve të lira, kohën që duhet të ketë opozita dhe qeveria gjatë debatit parlamentar për projektligjet e paraqitura.

E drejta e fjalës për ministrat kur parashtrojnë projektligje dhe e kryeministrit sa herë që ai të dojë e sanksionuar edhe në Kushtetutë, shihet nga eksperti britanik si diçka e çuditshme dhe anomali për Parlamentin shqiptar, që nuk do t’i shërbente mirëfunksionimit të çdo Parlamanti.

Për amendimin e ndërhyrjes se ministrave, por jo më shumë se 10 minuta për çështjet e axhendes dhe kur kryeministri merr fjalën, kreu i opozitës ka të drejtë të komentojë, rekomandimi thotë se:

“nëse e drejta e pakufizuar e kryeministrit për të kërkuar fjalën nuk mund të ndryshohet në Kushtetutë, atëherë rregullorja duhet të amendohet për t’i lejuar opozitës të drejtën për t’u përgjigjur. Në terma më afatgjatë, këto përcaktime kushtetuese dhe të rregullores duhet të modifikohen për të vendosur më shumë kushte në ushtrimin e këtij pushteti”.

Sipas ekspertit britanik Phil Larkin, “vota e hapur për emërimin e zyrtarëve publikë është një mekanizëm i rëndësishëm i llogaridhënies”. Kur vjen fjala për Shqipërinë, ai arsyeton se vendimi duhet të merret mbi realitetin këtu.

Duke theksuar se është e vështirë të jepet një sugjerim apriori për këtë çështje, arsyetimi se një votë e fshehtë është më efektive për të lënë politikën jashtë emërimeve, bëhet mbi faktin se Parlamenti dominohet nga dy parti të mëdha, me një nivel të lartë disipline mbi anëtarët e tyre.

Duke iu referuar faktit se në rregullore ekzitojnë shembuj kur Parlamenti voton me shumicë të cilësuar për emërimin e zyrtarëve publikë, cilëson anormale që emërimet e gjyqtarëve të lartë bëhen me votë të thjeshtë.

Eksperti sugjeron se, nëse vota me shumicë të cilësuar është menduar si veprimi i duhur për disa emërime, atëherë ajo duhet të zgjerohet edhe për emërimet për Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Rekomandimi thotë se: “emërimet për në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese duhet të bëhen me votë të fshehtë dhe me shumicë të cilësuar”.

Top Channel