Pirlo: Kampionati është në dorën tonë

09/04/2012 08:40

Pas dy muajsh në ndjekje Juventus është rikthyer në kryesimin e Serisë A dhe Andrea Pirlo nuk ka ndërmend ta lëshojë më vendin e parë në renditje.

“Në Palermo ishim shumë të motivuar për fitore sepse e dinim që fitorja na jepte kryesimin dhe tashmë e kemi fatin në dorën tonë”, shprehet Pirlo për mediat italiane.

“Duam të vazhdojmë ëndrrën dhe e dimë që ndeshjet e mbetura duhet t’i marrim me radhë. Jemi të gatshëm për të bërë gjithçka për të fituar kampionatin, madje edhe të stërvitemi dyfish”, shton organizatori i bardhezinjve.

Pikërisht për këtë arsye juventinët kanë dalë në stërvitje edhe të dielën e Pashkës sepse të mërkurën ata do të përballen me Lazion e vendit të tretë në Torino.

Top Channel