
Me mall për atdheun, me një dëshirë për ta parë atë të barabartë me shtetet e tjera europiane dhe me besimin se forca politike që do të kryejë këtë hap të shumëpritur do të jetë Partia Socialiste, emigrantët shqiptarë në Janitsa, qyteti më i madh i prefekturës së Pellës, vendlindjes së Aleksandrit të Madh, kanë krijuar degën e tyre pranë kësaj partie.
Ata kanë pritur me duartrokitje ish-kryeministrin Pandeli Majko, sekretarin e PS Erjon Veliaj, kryebashkiakun e Korçës, Niko Peleshi dhe kryetaren e bashkise së Burrelit, Adelina Faruci, që kanë ardhur nga Shqipëria posaçërisht për të marrë pjesë në këtë ceremoni.
“Edhe Greqia këtu është në fushatë elektorale. Është duke kaluar momente tepër delikate dhe të vështira. Kjo dhe arsye të tjera na bëjnë që ashtu siç u shprehëm pak më parë, ne ta shikojmë këtë histori jo si një histori emigrantësh, por si një histori shqiptarësh e cila nuk ka të ndarë në qëllime”, deklaroi Majko.
Majko dhe Veliaj vlerësuan shtetasit shqiptarë për kontributin që ata kanë dhënë, japin dhe pritet të japin për një Shqipëri europiane, një Shqipëri të rilindur.
“I gjithë projekti ynë për të ndryshuar realitetin në Shqipëri quhet Rilindje Shqiptare. Ndoshta e mbani mend nga librat e historisë, por rilindja e parë që ne mbajmë mend kur fituam pavarësinë para 100 vitesh nuk filloi nga njerëz që jetonin në Shqipëri, rilindasit shqiptarë para 100 vitesh jetonin të gjithe jasht”, u shpreh Veliaj.
Ndërsa Niko Peleshi e Adelina Faruci theksuan edhe njëherë se sa e rëndësishme është vota e këtyre njerëzve të pastër, të ndershëm e dinjitozë për fatin e Shqipërisë.
“Ne e kemi parë se çdo të thotë të kesh mbështetjen e emigrantëve. Në zgjedhjet e fundit, por edhe në zgjedhjet e 2007-ës, vota e emigrantëve të Greqisë ka qenë pothuajse përcaktuese”, tha Peleshi.
“Unë mendoj se populli shqiptar dhe emigrantët e kanë ndjerë më shumë se kushdo indiferentizmin e kësaj qeverie”, tha pas tij zonja Faruci.
Më pas të ftuarit nga Shqipëria shpërndanë abetare dhe fletore pune për nxënësit e shkollës së gjuhës shqipe, të hapur në këtë qytet 45 km në perëndim të Selanikut, vetëm disa muaj më parë, ndërsa dëgjuan nga nxënësit e vegjël vargje të rilindasve tanë.
Top Channel