Rritet gjithnjë e më shumë pasiguria e përdorimit të transportit hekurudhor në Shqipëri. Një tjetër vagon udhëtarësh ka dalë nga shinat ndërsa treni i linjës Tiranë-Durrës po i afrohej stacionit të destinacionit.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së martës në afërsi të stacionit hekurudhor të Durrësit. Një nga vagonat e pakët të trenit të pasagjerëve ka dalë nga shinat duke ngjallur frikë te pasagjerët dhe personeli, të cilët kanë dalë jashtë dhe kanë vijuar në këmbë rrugën e mbetur deri në stacion.
Sipas teknikëve të hekurudhës, shkak i këtij incidenti të ri hekurudhor është bërë mosfunksionimi i mirë i ndërrueseve të shinave. Ndërrueset janë ende manuale dhe të amortizuara.
Ndërsa paragjerët kanë ecur drejt stacionit, grupet e punës janë vënë në lëvizje për të liruar linjën e zënë, për të mos krijuar probleme në grafikun e lëvizjes së trenave të tjerë.
Hekurudha Shqiptare është përfshirë në një kolaps të plotë për shkak të bllokimit të transportit të mallrave, mungesës së investimeve në linja dhe konkurrencës së fortë nga mjetet e transportit tokësor të udhëtarëve.
Aktualisht, punonjësit e mbetur paguhen me 50 për qind të pagës së dikurshme, kurse gjendja e ndërmarrjes është shfrytëzuar edhe për vjedhjen e materialeve metalike nga linjat për skrap, duke rrezikuar ndjeshëm sigurinë e lëvizjes.
Top Channel