Moto GP, Lorenzo fiton në Katar

08/04/2012 23:30

Duke u nisur nga pole-positon, Jorge Lorenzo është treguar më i shpejti për të kaluar vijën e finishit me Yamahën e tij në Cmimin e Madh të Katarit, në garën e parë MotoGP të vitit 2012.

Spanjolli fiton para Pedrosës, që u rendit i dyti dhe befason Stoner, të tretin, që gjatë garës pati probleme me gomat.

Duke nisur garën nga pole për herë të parë që nga Çmimi i Madh i SHBA, korrikun e kaluar, Lorenzo mbajti kryesimin deri në xhiron e tretë para se Stoner të merrte pozicionin e parë me një parakalim në pistën e drejtë të finishit. Më pas Lorenzo ndoqi Stonerin për pjesën më të madhe të garës, para se të kalonte rivalin e tij kur kishin mbetur edhe tre xhiro, në fund ai e kaloi vijën e finishit 0.852s përpara Pedrosës, i cili u rendit i dyti dhe Stoner, që përfundoi garën i treti.

Crutchlov, me Yamaha Tech 3, u rendit i katërti i pasuar nga Dovizioso, më pas vjen Hayden me Ducati, që parakalon Hondat e Bautista dhe Bradl. Barbera u rendit i nënti, ndërsa italiani Valentino Rossi, në krizë të thellë me Ducatin e tij, u rendit vetëm i dhjeti.   

Ajo e Katarit ishte gara e parë e Moto GP për këtë sezon, ndërsa emocionet do të pasohen nga gara e datës 29 prill në Jerez, të Spanjës. 

Rossi: Nuk kemi shpresa

Valentino Rossi është shumë i zhgënjyer me vendin e dhjetë të arritur në Cmimin e Madh të Katarit, garën e parë sezonale të Moto GP.

“Nuk konkurrojmë dot me më të mirët. Nuk mundem t’i jap mirë këtij motori, madje nuk mundem as të arrij nivelin e shokut tim të skuadrës (Hayden). Jemi larg vendeve të para dhe po ecim më keq se vitin e kaluar”, theksoi kampioni italian pas përfundimit të garës për mediat italiane.

“Shpresat tona kanë përfunduar që në sezonin e kaluar. Edhe nëse dal i gjashti nuk mund të quhet përmirësim. Jemi shumë të ngadaltë”, shtoi Rossi.

“Kam shprehur mendimet e mia për zgjidhjen e problemeve të Ducati-t, por nuk i zgjidh dot vetë sepse nuk jam inxhinier”, përfundoi italiani, i cili në garën hapëse të sezonit për asnjë moment nuk arriti të afrohej me vendet e para.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA