Përfaqësimi më i rëndësishëm se programet

07/04/2012 00:00

Jetmir Shpuza – Kur afrohen fushatat elektorale, qoftë për zgjedhjet e përgjithshme,
qoftë për ato lokale, forcat politike, sidomos ato kryesoret, fillojnë
një proces hartimi të programeve, të cilat i prezantojnë me bujë të
madhe në elektorat.

Një program i hartuar mirë, me specialistë seriozë, i adaptuar edhe me kushtet ekonomike, me buxhetet, me resurset, me ide të reja në lidhje me përparësitë e zhvillimit ekonomik, raporte me kulturën, mbrojtjen e shtresave të veçanta të shoqërisë, gjithmonë zgjon vëmendjen e publikut. Puna serioze që kryejnë hartuesit e këtyre programeve vlen për t’u respektuar, pavarësisht nëse ndonjëri e ka thjesht si “futje koke” në politikën e madhe pjesëmarrjen në ndonjë post partiak që ka brenda në emërtim fjalën e bukur “program”.

Pra programet janë gjithsesi shumë të rëndësishme. Aq më tepër për atë pjesë të shoqërisë që ka qasje intelektuale, që interesohet kulturalisht për politikën, që e ndjek evoluimin e forcave politike edhe nëpërmjet programeve, që sheh më pas edhe realizimin e tyre në mandatin e pushtetit, pra publiku që ka interesa të gjëra politike dhe shoqërore.

Në historinë politike të këtyre 21 vjetëve, kemi parë të reklamuar shumë ide dhe programe, që po të ishin realizuar, transformimet e shoqërisë shqiptare do të ishin të atilla që sot nuk do të na linin akoma mes dilemës së integrimit europian. Publiku ka dëgjuar shumë, ka parë shumë, ka duartrokitur shumë, ka debatuar shumë, ka dyshuar shumë, ka besuar shumë…

Parullat politike që janë vënë si tituj të këtyre programeve shpesh kanë qenë frymëzime të bukura poetike, të shpalosura me bujë, pse jo të thëna bukur në momente të veçanta…Vizion 2000, Shqipëria po ndryshon, Përtej së majtës dhe së djathtës, Për një Rilindje Shqiptare…

Shqiptarët edhe kanë besuar, edhe nuk kanë besuar te programet. Pikënisja e madhështisë së këtyre programeve jo rrallë ka qenë tendenca mashtruese ndaj elektoratit për të marrë votat në atë moment. Serioziteti i realizimit të tyre ka lënë për të dëshiruar. Në tronditjet politike, në rastet e konsumimit të pushtetit të një force politike, ka ardhur një frymë opozitare që, e kombinuar me entuziazmin e programeve dhe parullave, ka ndikuar jo pak në fitoren e forcës tjetër. Kështu më 1991-‘92, më ‘97-n, më 2005-n.

Por hartimi i programeve është vetëm zanafilla e konkurrimit politik në fushata elektorale. Këto programe duan një veshje, një përfaqësim njerëzor dinjitoz, duan ata që do ta shpjegojnë, do ta sjellin të qartë në të gjithë hartën elektorale të Shqipërisë, në bashki e komuna. Pasi sot, pas 21 vjetësh jetë pluraliste, një pjesë jo e vogël e elektoratit shqiptar sheh më tepër te figurat që përfaqësojnë forcën politike përkatëse, se sa në atë çfarë është shkruar në letër.

Duke qenë se votohet një listë deputetësh apo një individ për kryetar bashkie a komune, çdo ditë e më tepër po rritet përqindja e elektoratit që voton, duke u nisur nga kandidati përfaqësues. Pavarësisht nga partitë, nga programet dhe parullat politike. Pakujdesia e liderëve politikë në promovimin e figurave pa kriter, pa lidhje me politikën, individë që nuk sjellin ide, të pakulturuar e aq më tepër me një të kaluar të dyshimtë, ka sjellë vazhdimisht tendencën e largimit të publikut nga politika, ose shikimin e politikës si diçka negative, diçka me të cilën nuk duhet të ngatërrohesh. Jo pak herë, përfaqësimi i keq ka sjellë frenimin e pritshmërive, frenimin e tendencave të reagimit të elektoratit drejt një fryme më progresive në dukje. Përfaqësimi i keq ka sjellë zhgënjim, tërheqje, abstenim.

Një shembull për t’u studiuar është sjellja e Partisë Socialiste me elektoratin e majtë në Shkodër, duke frenuar rritjen e këtij elektorati, sidomos në qytetin e Shkodrës. Fakti se ky qytet vazhdon të votojë të njëjtën forcë politike, kur ka arsye të forta të reagojë dhe të mbështesë një alternativë tjetër, është shembulli më tipik i asaj se përfaqësimi i dobët politik largon elektoratin në mënyrë drastike. Rasti i parë ishte në zgjedhjet elektorale të vitit 2009. Pritshmëritë ishin për një rritje të peshës së elektoratit të kësaj force politike. U bënë testime, u angazhua një sistem që quhej “patronazhi”, ku u pyetën njerëzit derë më derë dhe u arrit në konkluzionin e saktësisë absolute të mbi 15 mijë votave që kjo forcë politike do të merrte në këtë qytet. Me të dalë lista e deputetëve që do të përfaqësonin PS në Qarkun e Shkodrës, elektorati pësoi zhgënjim, pasi pritshmëritë ishin të tjera. Të tjerë emra u lakuan, figura të pakontestuara e me reputacion, që shprehnin esencën e qytetarisë së Shkodrës… Zhgënjimi vijoi me 5 mijë vota më pak për Partinë Socialiste në këtë qytet. Po kështu, në zgjedhjet lokale të 2011-s, kur pakënaqësive të administrimit të punëve të qytetit iu shtuan edhe përmbytjet që ndodhën në dy vite rresht, edhe mosmarrja e dëmshpërblimit nga familjet e përmbytura…PS-ja kishte shansin të reagonte, duke kandiduar me një figurë të plotë intelektuale, me reputacion të mirë dhe të zgjonte një frymë e ndjeshmëri të administrimit ndryshe të qytetit. Po kush do ta gjente një figurë të tillë? Deputetët e kontestuar të 2009-s? Duke nxjerrë një figurë të konsumuar dhe të kontestuar si ish-drejtorin e përfolur të Hipotekës, kjo forcë politike e humbi shansin dhe solli një zhgënjim te ri, humbjen më të thellë në histori. Dhe gabimi ka rrezik të përsëritet, pasi tendencat janë që lista e dështuar e 2009-s të riciklohet edhe më 2013…

Shembuj të tillë ka plot, edhe në rajone të tjera të vendit. Vëmendja e elektoratit po zgjohet gjithnjë e më tepër nga cilësia e përfaqësuesve politikë, i lodhur tashmë nga fjalët e bukura, parullat me ndjeshmëri poetike të programeve… Shqipëria po ndryshon… Për një Rilindje Shqiptare…

Gazeta “Shqip”

Top Channel