Duel në distancë Bajern-Dortmund

07/04/2012 17:45

Dy gola të Gomez i dhanë fitoren 2-1 Bajernit të Mynihut përballë modestëve të Augsburgut dhe mbajnë bavarezët në të njëjtin hap me kryesuesit e Bundesligës, Borusian e Dortmundit, që gjithashtu fitoi në transfertë me Volfsburgun, 3-1.

Gomez shënoi që në minutën e parë të takimit, gol që krijoi premisat për një goleadë për skuadren e Hejnkes. Por nuk ishte kështu. Augsburg barazoi në minutën e 23 të takimit me anë të Koo. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-1. 15 minuta nga nisja e pjesës së dytë, Gomez shënon golin e dytë për skuadrën e tij, gol që i jep një trepikësh me mjaft vlerë, pasi në minutat e mbetura bavarezët, pavarësisht përpjekjeve nuk shënuan dot gol tjetër.

Ndërkohë, një dopjetë e Levandovskit dhe goli i Gundogan i dhanë fitoren 3-1 Dortmundit përballë Volfsburgut. Për vendasit, goli i vetëm u shënua nga Mandzukic.

Gjashtë javë nga fundi i Bundesligës, Dortmund kryeson me 66 pikë, 3 më shumë se Bajerni i Mynihut, renditje që bën akoma më përcaktuese sfidën direkte mes këtyre dy skuadrave, atë të ditës së mërkurë, e vlefshme për javën e 30 të kampionatit gjerman.

Top Channel