Inter nuk mendon për klasifikimin

06/04/2012 15:15

Pas suksesit me Genoan, Interi kërkon të konfirmohet edhe në transfertën e Cagliari, të dielën në orën 15.00.

“Ka entuziazëm dhe atmosferë pozitive në grup. Kemi nisur të punojmë, të projektojmë dhe të hedhim idetë që i patë në ndeshjen kundër Genoas. E nisëm me fitore por e dimë që ende nuk kemi arritur asgjë”, thekson trajneri Stramaccioni për mediat italiane.

Interi është 7 pikë larg vendit të tretë, por matematikisht ka ende mundësi të arrijë zonën Champions: “Skuadra është për vend të tretë dhe këtë e dinë të gjithë, por duhet të shohim të tashmen. Sot për sot nuk më intereson klasifikimi, duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Nuk jemi në pozita për të bërë llogari dhe të shohim kalendarin. Për ne ndeshja e radhës është një finale.”

Më pas, Stramaccioni foli për lojtarë të veçantë: “Snejder nuk është grumbulluar, po stëvitet shumë dhe mezi pret të kthehet në fushë. Kërkon të tregojë vlerat e tij dhe ne po e presim. Do të mungojnë edhe Julio Cesar, Maicon dhe Lucio, por unë do të hedh në fushë skuadrën më të mirë të mundshme.”

Top Channel