Ministri i Mbrojtjes ka revokuar vendimin e tij për të emëruar në krye të Forcës Detare kapitenin e Rangut të Parë, Ferdinand Kreshpanin.

Kreu i mbrojtjes ka sqaruar në një letër publike drejtuar presidencës se në emërimin e tij ai u mbështet në një praktikë të deritanishme të ndjekur nga ana e dy institucioneve.

Ministri i Mbrojtjes nuk ka pranuar të ketë cënuar Kushtetutën në rastin e emërimit të Kreshpanit. Imami ka sjellë si rast emërimin në 2005-n si Komandant të Forcës Detare, Kristaq Gërvenin i cili në atë kohë mbante po të njëjtën gradë.

Në vijim të letrës Imami sjell edhe një tjetër rast, atë të propozimit të kësaj ministrie në 2008-n për kreun e Forcave Ajrore, ku presidenti nuk ka proceduar pasi të tre kandidaturat kanë qenë të gradës kolonel.

Sipas Imamit zgjedhja e një kapiteni në një post drejtues duke iu referuar edhe ligjit, është në kompetencën e tij dhe jo të Presidentit, i cili sipas tij në bazë të Kushtetutës ka të drejtë të procedojë vetëm me ushtarakët që mbajnë gradën e Gjeneralit.

Imami e mbyll sqarimin e tij drejtuar presidencës duke përmendur faktin se ka ngritur një komision të veçantë të karrierës për shqyrtuar disa kandidatura për t’ja propozuar presidentit për t’i dhënë gradën e Kundëradmiral, i cili do të jetë edhe komandanti i ri i Forcës Detare Shqiptare.

Top Channel