Debati për kreditë e shtëpive

06/04/2012 00:00

409 e familje të pastreha përfitojnë kredi të zbutura nga Bashkia e Tiranës.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak janë miratuar dy projektvendime me listat e përfituesve, ku projektvendimi i parë me 184 emra është miratuar unanimisht, ndërsa projektvendimi me 225 emra të tjerë është miratuar vetëm nga mazhoranca, pasi opozita ka kundërshtuar me pretendimin, se kjo liste eshte hartuar nga administrata Basha, duke përfshire në të emra militantësh te Partisë Demokratike, ku ndër to radhitet edhe emri i Agim Llupos, i akuzuar për vrasje në protesten e 21 janarit.

“Të shtyhet ky vendim. Mbani përgjegjësi ndaj qytetarëve, të cilët kanë nevoja strehimi, ndoshta edhe më tepër se sa lista e paraqitur dhe të jeni të sigurt për këtë. Kërkohet kohë e mjaftueshme për shqyrtimin e listës, sikurse kemi arsye, të cilat duhet të verifikohen plotësisht elementë që tregojnë konflikt interesi apo në rastin më të keq edhe emra, të cilët jeni të sigurtë janë shpërblim politik të zgjedhjet të manipuluara të 8 majit, apo edhe emra të tjerë që do të bëhen publikë”, tha kryetari i Këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi.
 
“Nëse është qytetar i Tiranës mund të përfitojë. Mund të përfitojë edhe kryetari i Bashkisë kur është pa shtëpi edhe zëvendëskryetari, mund të përfitojë edhe zëdhënësi, mund të përfitojë edhe portieri. Qytetarë janë të gjithë. Ky është një lajm shumë i mirë për qytetarët e Tiranës. 409 familje marrin kredi të buta edhe 800 të tjera mund të përfitojën nga kuota e qeverisë shqiptare për pushtetin vendor. Në përputhje me Kushtetutën askush nuk mund t’i japë vetes pushtetet e prokurorit apo të persekutorit dhe na nxirrka qytetarë me shfaqje të huaja, që nuk duhet të jenë në këtë listë. Ka akoma edhe 800 familje të tjera që presin dhe unë shpresoj për zgjidhje”, tha kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha.

Dalipi ka kujtuar kryetarit të Bashkisë të sjellë për miratim në Këshillin Bashkiak, banesat sociale, të cilat, sipas tij, po amortizohen dhe po mbahen peng nga kjo administratë.

Ka vijuar serish diskutimi i këshilltarëve socialistë, për shkarkimin me te padrejte te punonjesve ne Bashkine e Tiranës, kur u diskutua per ristrukturimin Qendrave Sociale.

“Me arsyen se po rrisni rrisni cilësinë e shërbimit dhe të trajtimit për target grupe të caktuara, ku në fakt me shifrat që keni raportuar në relacion, të jeni të sigurtë, që jo vetëm shërbim cilësor nuk do të merrni për këta njerëz, por do të ketë edhe përkeqësim të situatës. Ky strukturim ka vetëm një qëllim largimin nga puna të personelit profesional që punon në këto qendra dhe zëvendësimin e tyre me militantë. Bashkia është e qytetarëve dhe jo e militantëve. Keni gjetur modelin më të shëmtuar për të shmangur kalvarin e gjyqeve dhe të përmbarimit. Do të vije dita do të vijnë vendimet e gjyqeve dhe ata njkerëz do të paguajnë”, tha Gent Gazheli, këshilltar socialist.

“…nëpërmjet shtimit të personelit, pra jo heqjes së personave nga puna, të personave që kujdesen në këto qendra dhe nëpërmjet zgjerimit të hapësirës ku kryhen këto shërbime. Ky është thelbi i këtyre dy vendimeve dhe unë ju ftoj ta votoni”, tha Basha.

Me heret kreu i grupit te keshilltareve socialiste, Aldrin Dalipi i ka dorezuar kryetarit keshillit kerkesen per nje mbledhje te posaçme, ku kryetari i Bashkise Basha tu pergjigjet disa pyetjeve ne lidhje me rritjen e taksave ndaj biznesit të vogël.

Top Channel