
Gjykata Ndërkombëtare Kriminale i ka kërkuar autoriteteve libiane që të
dorëzojnë Siaf Al Islamin, djalin e ish-diktatorit Muammar Gaddafi, i
cili kërkohet nga Haga për krime kundër njerëzimit.
Saif Al Islami u kap në nëntor të vitit të shkuar në jug të Libisë ndërsa përpiqej t’ia mbathte ne Niger. Sipas Gjykatës së Hagës tashmë Libia duhet të marrë masat e duhura për të dorëzuar Saif al Islamin, i cili dyshohet se është keqtrajtuar që nga kapja e tij.
“Saif al Islami gjendet në një boshllëk ligjor dhe është mbajtur rob për 139 ditë në izolim të plotë, me përjashtim të vizitave nga zyrtarët libianë”, kështu deklaruan avoktatët e tij të caktuar nga Gjykata e Hagës.
“Autoritetet libiane nuk kanë mundur të justifikojnë në asnjë pikëpamje ligjore refuzimin për ta dorëzuar Gaddafin në duart e gjykatës së Hagës-deklaruan avokatët Ksavier-Zhan Keita dhe Melinda Teljor.
Por autoritetet libianë thonë se do ta gjykojnë Saif al Islamin në Libi dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për t’ia dorëzuar atë Hagës.
Top Channel