
Presidenti i Republikës Bamir Topi ka përshëndetur 3-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO me anë të një mesazhi në faqen zyrtare të Presidencës.
“3 vjet më parë Shqipëria u bë zyrtarisht anëtare në NATO. Kjo ngjarje historike ka zënë vend nderi në kujtesën tonë shtetërore e kombëtare, si kurorëzim i aspiratave dhe përpjekjeve të gjata kombëtare, si rikthim i natyrshëm i shqiptarëve në familjen atlantike dhe si një hap me rëndësi për forcimin e paqes, stabilitetit dhe demokracisë në rajonin e Evropës Juglindore”, lexohet në mesazhin e Presidentit.
“Merita kryesore e arritjes së këtij suksesi u takon ushtarakëve shqiptarë, të cilët me aftësi profesionale, kurajo dhe korrektësi, arritën ta shndërrojnë sistemin e vjetër të mbrojtjes në një model të ri modern, në standardet e njëjta me vendet e tjera anëtare të organizatës. Për vite me radhë ushtarakët tanë ishin dhe janë pjesë e misioneve paqëruajtëse në vende të ndryshme në botë, ku përmes angazhimit profesional dhe sakrificave deri në dhënien e jetës, e ngritën lart emrin e Shqipërisë dhe të Ushtrisë shqiptare” shton presidenti Topi.
Në fund, Presidenti i Republikës thekson se ashtu siç Shqipëria meritoi NATO-n edhe “qytetarët shqiptarë meritojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian”.
“Është përgjegjësi direkte e institucioneve politike për ta bërë këtë aspiratë një realitet të prekshëm, të merituar, të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, përfundon mesazhi i Presidentit.
3 vjet në NATO, Spahia takon Këshillin Rinor
Në 3-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Këshilli Rinor Shqiptar organizoi një aktivitet ku ishin të ftuar edhe drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në mungesë për arsye shëndetësore të ministrit Arben Imami, të pranishmit i ka përshëndetur zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia.
Ai e ka cilësuar si mjaft të rëndësishëm anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si fakt që ka sjellë një reformë të rëndësishme në ushtrinë shqiptare dhe ka renditur vendin tonë si faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon dhe më gjërë.
Por duke iu drejtuar auditorit Spahia u bëri apel të rinjve që të thellojnë njohuritë e tyre mbi organizmat europiane dhe të kuptojnë më mirë rolin e tyre dhe angazhimet dhe detyrimet e vendit tonë ndaj tyre.
Top Channel