Heynckes: Gjysmëfinalet, sukses i madh

04/04/2012 10:30

Bayern Munchen ka kaluar pa probleme Olympique Marseille në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve falë dy rezultateve të pastra (0-2 në Francë; 2-0 në Gjermani) dhe trajneri i bavarezëve është shumë i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve të tij.

“Arritja e gjysmëfinaleve të Champions është një sukses i madh. Jemi duke luajtur shumë ndeshje për momentin dhe jemi të përqendruar. E merituam plotësisht fitoren. Mund të duket e lehtë, por Marseille erdhi me meritë deri në çerekfinale sepse ka mundur kundërshtarë si Borussia Dortmund dhe Inter”, theksoi pas takimit Heynckes.

Ndërsa Ivica Olic, shënuesi i dy golave të takimit, u shpreh: “Është një ndjenjë e bukur. Jam lojtar me eksperiencë, por isha paksa i stresuar para fillimit të takimit sepse të luash në Ligën e Kampioneve është gjithmonë diçka e veçantë. Jam shumë i lumtur për golat dhe për fitoren e ekipit.”

Nga ana e tij, Franck Ribery realizoi një takim të shkëlqyer duke qenë aktiv në të dy golat e shënuar nga Bayern.

“Jemi të gjithë të lumtur. Luajtëm shumë mirë dhe bëmë një lojë kolektive për tu admiruar. Edhe ata lojtarë që nuk luajnë shpesh na ndihmojnë shumë kur futen në lojë. Më bëhet shumë qejfi për Ivica Olic. Po pres me padurim finalen ndaj Real Madrid”, deklaroi francezi.

Top Channel