Bayern rinovon kontratën e Mario Gomez

04/04/2012 13:15

Bayern Munchen ka zgjatur kontratën e sulmuesit Mario Gomez deri në qershor të vitit 2016 një ditë pas kualifikimit për në gjysmëfinalet e Champions League.

“Bayern është një klub fantastik. Ndihem shumë mirë dhe shoh se tek ky klub kam të ardhmen më të mirë sportive të mundshme”, është shprehur futbollisti 26-vjeçar, një nga yjet e klubit bavarez dhe kombëtares gjermane.

Kontrata e Gomez skadonte në 30 qershor të vitit 2013 dhe të dy palët, lojtari dhe klubi, vendosën ta shtynin atë edhe për tre vite të tjera.

“Mario Gomez është një nga sulmuesit më të mirë në Europë. Prezenca e tij dhe e shumë lojtarëve të tjerë të kombëtares gjermane i sigurojnë Bayern-it bazën e së ardhmes”, theksoi drejtori sportiv Christian Nerlinger për mediat gjermane.

Gomez, i cili ka babain spanjoll dhe nënën gjermane, ka shënuar 37 gola në 42 ndeshje këtë sezon me fanellën e Bayern Munchen.

Ky lajm vjen dy ditë pas rinovimit të kontratës edhe nga ana e Arjen Robben. ‘Bild’ publikoi të hënën se mesfushori hollandez do të qëndrojë në Gjermani deri në vitin 2015.

Top Channel