Allegri: Dy penallti të dhuruara

04/04/2012 09:30

Massimiliano Allegri, tekniku i Milanit, ka komentuar me qetësi humbjen 3-1 ndaj Barcelonës në çerekfinalen e Ligës së Kampioneve, por pa harruar të kritikojë gjykimin e arbitrit të ndeshjes.

“Më vjen keq për 11-metërshin e dytë sepse duheshin vetëm 3 minuta nga përfundimi i pjesës së parë. Një penallti e dhuruam ne, tjetrën arbitri. Penalltia e dytë nuk ishte. Dalim me kokën lart. Pas rezultatit 1-1 mendoja se mund të kalonim turnin sepse ishte Barcelona nën presion, por goli i dytë i zhbllokoi psikologjikisht dhe filluan të pasonin mirë topin”, theksoi Allegri në konferencën e shtypit pas ndeshjes.

“Luajtëm një pjesë të parë të mirë dhe deri në fund u munduam të rihapnim ndeshjen. Nuk kam përse të ankohem, djemtë dhanë gjithçka në fushë”, shtoi Allegri, i cili nuk dha detaje për dëmtimin e ri të Patos.

Sulmuesi brazilian hyri si zëvendësues në pjesën e dytë, por doli vetëm pas 14 minutash lojë pas problemit muskular të radhës.

Ibrahimovic: Tani po e kuptoj Mourinho-n

Ndërsa Zlatan Ibrahimovic nuk e kapërdin dot vendimin e gjyqtarit në rastin e 11-metërshit të dytë.

“Më vjen keq sepse ishim në lojë deri në rezultatin 1-1. Më pas akorduan një penallti për Barcelonën kur topi nuk ishte fare në lojë. Tani e kuptoj Mourinho-n që nxehet sa herë që vjen në Camp Nou. Nuk po them që ka të drejtë, po them që e kuptoj”, deklaroi sulmuesi suedez.

“Ata janë ekipi më i fortë në botë, por sot luajtëm mirë deri tek penalltia e dytë. Na duhet edhe pak për të arritur nivele më të larta në Champions”, shtoi Ibrahimovic.

Top Channel