Xhaxhai i Presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, beson se nipi i tij nuk mund të ruajë pushtetin edhe për shumë kohë.
Rifaat al-Assad deklaroi për “BBC” se me nivelin që ka arritur dhuna në rrugët e qyteteve, është e pamundur që Bashar të shpëtojë prej tërbimit popullor.
Rifaat ka jetuar në azil që kur u përpoq pa sukses të merrte pushtetin nga vëllai i tij dhe babai i presidentit aktual, Hafez al-Assad, në vitet 1980.
Tentativa për të rrëzuar qeverinë u realizua atëherë pasi u detyrua që të udhëhiqte një ushtri në shtypjen e një revolte të Vëllazërisë Muslimane në Hama, shtypje që rezultoi brutale dhe i kushtoi jetën 10-25 mijë sirianëve.
Reagimi i Rifaat erdhi pasi ndërmjetësi i OKB-së për paqen, Kofi Annan, kërkoi caktimin e datës 10 prill si afatin përfundimtar për Sirinë në praninim e armëpushimit.
”Problemet janë përshkallëzuar në të gjitha zonat e Sirisë. Nuk ka më asnjë zonë që i ka shpëtuar dhunës dhe nuk mendoj që Bashar mund të qëndrojë edhe për shumë kohë në pushtet”, deklaroi xhaxhai i tij, në një intervistë për “BBC”.
”Nëse do të varej nga unë, gjithsesi, do t’i jepja një rol në qeverinë e ardhshme, në mënyrë që tranzicioni të bëhet sa më i butë, deri në krijimin e një klase të re politike në vend. Do të dëshiroja të shikoja një komision të Ligës Arabe dhe OKB-së që të monitorojnë zgjedhje të qetë dhe të lira në vend”.
Rifaat al-Assad e konsideron veten si pasardhësin e ligjshëm të Hafez dhe asnjëherë nuk i ka fshehur ambiciet e tij për t’u shndërruar në lider të vendit arab me 24 milionë banorë.
”E vërteta është se aktualisht, asnjë prej figurave të opozitës nuk ka kurrfare peshe apo mbështetje publike. Do të duhet pak kohë për të gjetur një zëvendësues të denjë për të trashëguar pushtetin”, theksoi Rifaat, pa mohuar se ai mund të jetë zgjidhgja e përshtatshme, si pjestar i familjes Assad, por i papërfshirë në dhunën dhe politikat shtypëse të regjimit aktual.
Top Channel