Spanja do të ekstradojë ortakun e Ali Evsen

03/04/2012 16:05

Egjipti pranoi kushtet e Spanjës për ekstradimin në Egjipt të një miliarderi, i cili ishte një bashkëpunëtor i afërt i ish-presidentit Hosni Mubarak dhe ortak në biznes i pronarit të “Albanian Airlines”, Ali Evsen.

Ashtu siç kishte kërkuar Madridi, Kajro zyrtare ka rënë dakord që t’i ofrojë Hussein Salem një gjyq të drejtë dhe të lirë.

78-vjeçari u arrestua në qershor 2011 pas një mandati ndërkombëtar për pastrim parash dhe korrupsion, të lëshuar nga Egjipti. Megjithatë, ekstradimi ishte shtyrë, deri në plotësimin e disa kushteve nga drejtësia egjiptiane.

Përsa i përket Evsen, një biznesmen turk, ai akuzohet nga drejtësia egjiptiane si bashkëpunëtor dhe një “mbulim” i përdorur për transferimin e fondeve ilegale nga Egjipti në Spanjë dhe vende të tjera europiane.

Në momentin e arrestimit, Salemit iu bllokuan 32,5 milionë euro në llogaritë e tij bankare dhe prona me vlerë dhjetë milionë euro.

Egjiptianët kërkojnë në shumicë dërrmuese që biznesmenët që janë pasuruar nëpërmjet korrupsionit dhe favoreve nën drejtimin e Hosni Mubarak të përballen me drejtësinë, ndërsa vetë ish-presidenti Mubarak, 83-vjeçar, është duke u përballur me një proces.

Sipas mediave egjiptiane, Salem zotëron një pasuri prej qindra milionë eurosh, të përfituara nga kontratat e paligjshme të gazit që firmosi me Mubarak.

Gjithashtu, ai akuzohet se ka përvetësuar kilometra të tërë toke në zonën turistike të Detit të Kuq, në këmbim të pesë vilave luksoze për ish-diktatorin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA