
Nga mbledhja e grupit parlamentar të PS, kreu opozitës Edi Rama bëri
publike inicimin e një projektligji, ku propozohet financimi nga qeveria
shqiptare për ndërtimin e një materniteti dhe një shkollë në Komunën e
Preshevës.
“Nevoja është emergjente për jetën e bashkëkombasve tanë atje. Për ne ky është një gjest solidariteti”, u shpreh Rama.
Me pas kryetari PS ka akuzuar qeverinë se është kujtuar 7 vjet me vonesë, në sjelljen e një projektligji në Parlament për zhvillimin rural, duke kopjuar progranim e PS, e cila e ka si pjesë të saj zhvillimin e fshatit.
Zhvillimi rural është një nga shtyllat kryesore të programit tonë për rimëkëmbjen ekonomike e sociale të vendit Teksa qeveria propozon projektligjin për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, të cilin siç e thashë nuk e kundërshtojmë në parim, ne do të kërkojmë me ngulm miratimin e dy nismave të tjera me rëndësi emergjente për fshatin:Propozimin për uljen e TVSH-së së inputeve bujqësore dhe propozimin për uljen e akcizës së naftës.
Çmimi i naftës që përdoret sot në zonat rurale është trefishuar në raport me 7 vjet më parë. Ndërkohë, çmimi i naftës në bujqësi është sot 4 herë e gjysmë më i lartë se sa premtimi i kryeministrit për fermerët”, tha Rama.
Goditje antidemokratike me qëllim final grabitjen e një mandati deputeti të PS, orkestruar nga kryetarja e Kuvendit, e ka cilësuar Edi Rama zhvillimin e fundit që lidhet me zëvëndësimin e deputes së larguar Rudina Seseri.
“Për muaj me radhë ne kemi kërkuar që kjo çështje e qartë si drita e diellit nga ana kushtetuese e ligjore të zgjidhet përmes arsyes, por askush nuk duhet të mendojë se duke bllokuar rrugën e arsyes do të imponojë një tjetër vjedhje votash ditën për diell me procedura perverse si ato të 8 majit në Tiranë, këtë herë m’u brenda në sallën e Kuvendit. Kemi informuar për këtë qoftë publikun dhe qoftë komunitetin ndërkombëtar dhe apeli im për kryeministrin është të heqë dorë menjëherë nga mandati i deputetit socialist për të mos hapur një andrrallë të re e shumë të madhe për funksionimin e parlamentit, në një kohë kur të gjithë duhet të bëjmë çmos për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Kreu socialist ka paralajmëruar kryeministrin Berisha se me mbajtjen peng të këtij mandati, është duke shkaktuar një krizë tjetër në funksionimin e Parlamentit, nderkohe që të gjithë duhet të punojmë që Shqiperia të marrë statusin e vendit kandidat.
Reagon Kuvendi: Akuzat e Rames, qesharake
Pas kësaj deklarate, pasditen e së martës, Kuvendi me anë të një deklarate për shtyp, reagoi duke i konsideruar si qesharake dhe të pabaza akuzat e kryetarit socialist Edi Rama.
“Sulmet e Kryetarit të Partisë Socialiste për marrje të mandatit të PS nga Kryetarja e Parlamentit janë qesharake. As nuk ka patur, as nuk ka dhe as nuk do të ketë tendencë për të ngadalësuar apo për të privuar PS nga mandati që i takon. Akuza e zotit Rama është thjesht qesharake dhe e pabazë, sepse disa javë më parë, KQZ ka vendosur zotin Gjon Bardhi si personin që i takon mandati i deputetit. Gjatë kësaj kohe, PS ka patur mundësi ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Apelit, gjë që PS nuk e ka bërë”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin për media, publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit thuhet se në mbledhjen e një dite më parë, anëtaret e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve kanë diskutuar gjatë mbi vendimin e KQZ, duke shprehur disa mendime. “Kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci, ka ngulur këmbë se vendimi i KQZ-së është i paligjshëm, antikushtetues dhe se mandati është i pavlefshëm. Gjithashtu, ishte zoti Ruci ai që i kërkoi Kryetares së Parlamentit ta shpallë jokushtetues vendimin e KQZ, në një kohë kur këtë autoritet nuk e ka as Këshilli, as Kryetarja, por vetëm Gjykata Kushtetuese. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama duhet ta mësojë njëherë e përgjithmonë se në një shtet demokratik asnje institucion nuk mund të marrë atributet e një institucioni tjetër. Gjithashtu, është i padiskutueshëm fakti se ky mandat i përket PS, por modalitetet duhet të jenë vetëm ligjore”, thuhet më tej.
Kryetarja e parlamentit, thuhet në njoftim, ftoi anëtarët e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve të konsultohen dhe të kontribuojnë me vullnet të mirë dhe me maturi në gjetjen e modaliteteve ligjore për rastin në fjalë.
Top Channel