
PDIU shpreh shqetësimin për ndërhyrjen e zëvendësministrit të Jashtëm grek në punët e Brendshme të Shqipërisë.
“Kërkesat e minoritetit në census u respektuan, ndaj ata morën pjesë masivisht. Shqetësimi i Athinës i kuptueshëm, teksa amendamentet tona frenuan orekset e saj”, thuhet në qëndrimin e PDIU-së. Kjo forcë politike thekson se të drejtat e minoritetit mbrohen nga shteti shqiptar dhe Greqia nuk mund të japë leksionet e saj.
“INSTAT duhet të zbatojë amendamentet dhe mbi bazën e tyre të publikojë të dhënat e censusit”, thuhet në qëndrim.
Idrizi: Dule, një provokator
Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi akuzoi pak ditë më parë kryetarin e PBDNJ-së Vangjel Dule si provokator, i cili është gjetur në panik nga mbështetja, që sipas tij ka partia e çamëve.
Idrizi tha se Dule përfaqeson interesat e qarqeve të errëta greke dhe se ka nevojë për leksione për Çamërinë.
“I gjendur pa shumë hapësirë manovruese politike, me një numër votash gjithnjë e në tkurrje ai u shfaq në televizion si provokator dhe përsëritës. Ky njeri është në panik nga mbështetja elektorale që mori nga jugu në veri, nga lindja në perëndim PDIU-ja”, tha në reagimin e tij Idrizi.
Sipas tij, PDIU është një parti që përfaqëson popullin shqiptar të Çamërisë dhe ka ditur ta shndërrojë çështjen çame, në çështje të gjithë shqiptarëve.
“Vangjel Dule nuk përfaqëson askënd në Shqipëri, ky njeri përfaqëson interesat e qarqeve të errëta të vendeve fqinj. Këto qarqe në vend që të merren me halle që i kanë pllakosur, sipas pasojë e mendësisë së liliputit, që kur shihet në pasqyrë i ngjan vetja si Herkul, duan të merren me të tjerët. Çamëria është një plagë që kullon gjak, si pasojë e veprimeve genocidiale, të paraardhësve të atyre që kanë për sot, për zëdhënës Vangjel Dulen. Çamëria ka qenë dhe mbetet një realitet historik dhe ekzistues, sot edhe në të ardhmen. Ai thotë se që nga koha e demokracisë, nuk ekziston emri Çamëri. Kjo është një çmenduri, që vetëm një renegat, mund ta thotë. Ai më ngjan si provokator dhe ngacmues pa shkak, me dy personazhe groteske në Tiranë, si Shaban Qosja dhe Gëzim Kulufi”, tha Idrizi.
Top Channel