
Këtë fundjavë nis sezoni i ri i Botërorit të MotoGP me Cmimin e Madh të Katarit. Edicioni i vitit 2012 shoqërohet nga shumë të reja dhe një prej tyre është ai i rikthimit të Motorëve të klasit MotoGP në 1000 kubikë, ndërkohë që të bie në sy motorët CRT.
Përsa i përket pilotëve, kandidatët për të fituar titullin botëror janë sërish Kejsi stoner dhe Horge Lorenzo, me këtë të fundit që i është afruar ndjeshëm australianit falë edhe motorit Jamaha që duket se është shumë më i mirë se ai i vitit të kaluar.
Mes stoner dhe Lorenzos qëndron padyshim Dani Pedroza që do të kërkojë të thyejë dominimin e pilotëve që fituan titujt në 2010 dhe 2011. Vazhdon të jetë e vështirë gjendja e Dukatit. Valentino Rosi ende nuk ka gjetur një zgjidhje që të mund ta ndihmojë atë të jetë mes rivalëve dhe diferenca mes skuadrës italiane dhe atyre japoneze është ende e madhe.
Por ka edhe emra të tjerë që do të kërkojnë të ndërhyjnë në luftën për titull dhe këtu mund të përmendim Ben Spis, Andrea Doviciozo apo Kal Kraclou.
Botërorit të MotoGP të këtij viti i mungon një protagonist, Marko Simonceli. Piloti italian u nda nga jeta në mënyrë tragjike në fund të vitit 2011 duke lënë një boshllëk të madh në evenimentin më të rëndësishëm të garave me motorë.
Përsa i përket kategorive të tjera, në Moto3 që zëvendësoi klasin 125 kubikë, pretendenti kryesor për të fituar shihet Maverik Vinjales i cili do të rivalizohet nga Korteze dhe Faubek. Në Klasin Moto2, Mark Markez do të jetë pika e referimit, ndërkohë që nuk duhen lënë jashtë vëmendjes as Reding, Elias apo Luti.
Top Channel