Moto GP, Stoner është optimist

03/04/2012 16:45

Australiani Casey Stoner do të nisë mbrojtjen e titullit kampion në Moto GP me “mentalitet pozitiv” edhe pse është i ndërgjegjshëm që do të ketë shumë rivalë në luftë për titull duke nisur që nga gara e parë e Katarit.

“Gjithmonë kemi arritur rezultate të mira në Losail, por ky është një sezon i ri dhe do të ketë shumë rivalë që do kërkojnë fitoren. Pres me padurim nisjen e tij”, deklaroi piloti i Hondës në faqen zyrtare të skuadrës.

Stoner u shpreh i kënaqur me testet parasezonalë në Sepang dhe Jerez sepse sipas tij ato prova do e lejojnë të shkojë në Katar “i qetë me punën e bërë”.

Në fund, dy herë kampioni i botës paralajmëroi se kjo do të jetë hera e parë që do të pilotojë me një motor 1000 cc në pistën e Katarit.

“Është hera e parë që do të pilotojmë në Katar me motorrin e ri 1000 cc kështu që kemi nevojë për më shumë kohë për përshtatjen e tij në mënyrë që të jemi në pozita të mira për garën”, u shpreh Stoner.

Sezoni i ri i Moto GP do të nisë më datë 8 prill me garën e Katarit, garë që do të transmetohet direkt në Top Channel.

Top Channel