Kinë, rifillojnë nga puna mikro-blogjet

03/04/2012 00:00

Në Kinë kanë rinisur nga puna dy mikro-blogjet më të mëdha të vendit, të
cilat u bllokuan tre ditë më parë gjatë një operacioni të policisë.

Kompanitë që drejtojnë faqet e internetit kishin ndërprerë komunikimet, si pasojë e zërave për një grusht shteti në Pekin.

Por zërat në fjalë rezultuan të ishin vetëm spekulime. Ato fituan një besueshmëri të vogël për shkak të krizës që po kalon aktualisht sistemi kryesor politik kinez.

Shërbimet u pezulluan në faqet analoge të Twitter, të drejtuara nga kompanitë “Sina” dhe “Tencent”, të shtunën në mëngjes.

Kjo u bë për të lejuar një “pastrim” të komenteve mbi grushtin e shtetit, që kishin qarkulluar në internet pavarësisht se nuk kishte asnjë konfirmim. Kompanitë njoftuan se shërbimet e tyre do të rifillonin të martën në mëngjes dhe kështu ndodhi.

Por nëse kompanitë kishin shpresuar se spekullimet do të merrnin fund me kaq, ato janë gabuar. “Zërat qarkullojnë pasi e vërteta mbulohet”, ka shkruar një përdorues interneti.

“Kina është një vatër e nxehtë përsa i përket zërave, sepse atje nuk ka shtyp të lirë dhe sisteme transparente. Kjo bën që njerëzit t’u besojnë thashethemeve”, shkruhej në një mesazh tjetër.

Përveç ndërprerjes së shërbimeve të internetit, autoritetet kineze morën edhe masa të tjera për të frenuar spekullimet mbi grushtin e shtetit. Ato arrestuan 6 persona dhe gjithësej mbyllën 16 web site.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA