Londra nën vëzhgim? The Times: Si Kina po krijon një mega-ambasadë prej 750 milionë paundësh dhe po zgjeron rrjetin e spiunazhit në zemër të qytetit
Militantët islamikë të arrestuar në Francë po komplotonin të rrëmbenin
një gjyqtar hebre, kanë bërë të ditur burime policore për mediat
franceze.
Burimet deklaruan se disa nga të dyshuarit e arrestuar në bastisjen e së premtes kishin në plan të merrnin peng gjyqtarin Albert Levy, në qytetin lindor të Lionit.
Zoti Levy dhe familja e tij aktualisht janë nën mbrojtjen e policisë, saktësuan burimet e afërta me hetimet që po kryhen pas ngjarjeve të fundit me karakter islamik.
Shefi i Drejtorisë Qendrore të Shërbimeve të Brendshme, Bernard Squarcini deklaroi më herët se të dyshuarit ishin me kombësi franceze, të përfshirë në një stërvitje lufte kolektive, të lidhur me indoktrinimin e dhunshëm fetar.
Nga 19 personat e arrestuar në mbarë vendin ditën e premte, 16 kanë mbetur në arrest dhe seanca e parë dëgjimore do të mbahet së shpejti. Ndërkohë, ditën e hënë autoritetet franceze dëbuan nga vendi dy islamikë radikalë.
Arrestimet dhe dëbimet erdhën pasi atentatori islamik Mohamed Merah vrau shtatë persona në jug-perëndim të Francës, para se të vritej nga policia muajin e kaluar.
Një avokate e babait të tij algjerian thotë se ka prova që i biri u vetëdeklarua i pafajshëm në negociatat me policinë, që kishte rrethuar apartamentin e tij në Tuluz.
Por një burim pranë policisë franceze deklaron se provat në fjalë nuk përputhen me faktet e operacionit të forcave speciale.
Top Channel