Edhe Sukaj gati të rikthehet, por me kushte

03/04/2012 00:00

Vetëm 24 orë më parë ishte Armando Vajushi që bëri të ditur se kishte
një plan rikthimi te Vllaznia në qershor, i gatshëm për të bërë të
njëjtën gjë është edhe Xhevahir Sukaj.

Nga Irani, ish-sulmuesi i kuqebluve ka deklaruar se edhe ai mund të rikthehet, por me disa kushte që duhen plotësuar nga drejtuesit e klubit shkodran.

“Nuk diskutohet që kam dëshirë të rikthehem te Vllaznia, qoftë edhe në muajin qershor, por edhe unë kam disa kushte. Nëse drejtuesit e Vllaznisë më plotësojnë disa kushte, atëherë do të jem i gatshëm të ndërpres kontratën me skuadrën time, ku luaj aktualisht, duke e paguar vetë dëmshpërblimin dhe pastaj të rivishem kuqeblu, por vetëm për një Vllazni kampione”, ka pohuar Sukaj.

Më pas ai ka zbuluar edhe disa nga kushtet: “Dua që kontrata ime të jetë mbi 70 mijë euro në sezon dhe në këto kushte, gjobën prej 34 mijë eurosh për prishje të njëanshme të kontratës me klubin iranian, e paguaj vetë. Gjithashtu dua të ndërtohet një skuadër vërtet pretendente, me futbollistë cilësorë dhe jo në letër dhe së fundmi dëshiroj të kem unë shiritin e kapitenit të kësaj skuadre. Nëse më plotësohen këto kushte, atëherë unë u premtoj drejtuesve të skuadrës dhe të Bashkisë së Shkodrës, si dhe gjithë sportdashësve të Vllaznisë, kudo që ndodhen, që do të shënoj së paku 25 gola në një sezon futbollistik”, përfundoi Sukaj.

Top Channel