Dueli i dytë Barca – Milan

03/04/2012 00:00

Finalja e parakohshme e Champions Barca – Milan ka nisur me deklaratat e
trajnerëve të skuadrave përkatëse, të cilët thurin elozhe për
kundështarin dhe theksojnë se ndeshja është e hapur.

Në analizën e tij para sfidës Allegri është konkret. “Barcelona mbetet favorite për këtë ndeshje dhe për të fituar Ligën e Kampioneve”, ka theksuar tekniku italian.

“Ne jemi të vetëdijshëm që 2 nga 3 rezultatet e mundshme të kësaj ndeshjeje na favorizojnë neve. Për këtë përvec se duhet të bëjmë një lojë të kujdesshme duhet të tregojmë se dijmë edhe të shënojmë. Skuadra që do të fitojë do të shkojë në finale”, ka përfunduar Alegri.

Nuk mbetet prapa dhe Guardiola nga deklaratat e të cilit bie në sy frika që ka ai nga skuadra italiane. “Duhet ta përgatisim ndeshjen duke menduar se Milani do të shënojë gol. Ata kanë kapacitetin për të dominuar ndeshjen, të mbrohen mirë dhe të rrezikojnë me kundërsulme. Milani është më mirë se ne. Ne nuk mund ta mbrojmë rezultatin për një kohë të gjatë”, ka theksuar Guardiola.

Për ndeshjen e mbrëmjes dyshimi i vetëm është aktivizimi i Xavit i cili ka probleme muskulare.

Sfida tjetër do të jetë ajo mes Bajernit pothuajse të kualifikuar dhe Marsejës që vazhdon të jetë në krizë. Edhe pse janë më të favorizuar për shkak të fitores 2-0 në Francë, trajneri i bavarezëve Jup Hejnkes kërkon të mbajë të karikuar skuadrën për të mos patur të njejtën disfatë siç e pësoi Dortmundi në fazën e grupeve dhjetorin e kaluar, kur nga 2-0 u mund në minutat e fundit 3-2 nga Marseja.

Top Channel