Një kryebashkiake e një qyteti të vogël në Kalabri paraqiti të hënën dorëheqjen e saj, pasi pranoi se ishte kërcënuar nga mafia, duke krijuar kështu një skandal kombëtar.
Maria Carmella Lanzetta vendosi të largohej nga detyra pasi një farmaci në pronësinë e saj u përfshi nga flaka, duke rrezikuar jetën e fëmijëve të saj dhe pasi makina e saj u gjet me vrima plumbash në mëngjes.
Në deklaratën e saj për mediat, Lanzetta theksoi se ndihej e “pashpresë dhe e pambështetur nga shteti”, përballë kërcënimeve të shumta që mori.
Vendimi i saj ka provokuar një debat kombëtar përtej Monasteraçes, një qyteti në majën e çizmes italiane, në një kodër nga e cila mund të vëzhgohet deti Jon. Megjithatë, përvoja si kryebashkiake që prej 2006 nuk ka qenë aspak e qetë për gruan, e cila u vendos nën presionin e mafias pasi raportoi për borxhe të mëdha dhe veprime të dyshimta të institucionit që ajo drejtonte në të shkuarën.
“Qyteti ishte shkatërruar. Pa financa dhe pa projekte, i mbytur në borxhe të paligjshme dhe as profesionisti më i aftë në botë nuk mund ta ripërtërijë. Unë u përpoqa disi, por kur gjeta plumbat në makinë, nuk mund të përballoja më. Askush nuk mund të luftojë i vetëm kundër krimit të organizuar”, deklaroi Lanzetta.
Ish-kryebashkiakja beson se ajo imponoi një lloj rregulli në mënyrën se si administrohej qyteti dhe pikërisht për këtë u sulmua nga krimi i organizuar. Kalabria është një zonë që kontrollohet tërësisht nga organizata e fuqishme mafioze e Ndraghettas.
Sipas mediave italiane, ngjarja e Monastaraçes tregon qartë se shteti e ka humbur betejën e tij kundër mafias.
Top Channel