Cassano do të rikthehet të luajë futboll

02/04/2012 14:40

Sulmuesi i Milanit Antonio Cassano do të mund të rikthehet të luajë futboll në nivele të larta. Këtë gjë e ka vendosur komisioni mjekësor i mbledhur të hënën për të vlerësuar gjendjen e lojtarit pas operacionit në zemër që sulmuesi barez kreu në nëntorin e kaluar.

Edhe pse Cassano duhe të marrë edhe autorizimin e Institutit të Mjekësisë Sportive për të luajtur sërish, komisioni i përbërë nga ekspertë të Federatës së Mjekësisë Sportive Italiane, vendosi që futbollisti të vazhdojë përgatitjet për rikthimin e tij në fushat e futbollit.

Të premten e kaluar Milani kishte bërë të ditur se Cassano kishte nisur rekuperimin pas ishemisë në tru që pësoi menjëherë pas ndeshjes me Romën, ishemi që u shkaktua nga një difekt në zemër.

Ish-lojtari i Barit, Romës, Realit të Madridit dhe Sampdorias po kryen një program individual stërvitor në Milanello dhe pritet që së shpejti të fillojë stërvitjen me shokët e ekipit.

Top Channel