Kryeministri Sali Berisha ka rrëzuar propozimin e PS-së për shfuqizimin e
ligjit për moratoriumin e skafeve. Duke folur në mbledhjen e grupit të
PD-së, kryeministri Berisha e cilësoi këtë nismë si të papranueshme,
pasi sipas tij do të kthente trafiqet.
“Më duhet të theksoj se kjo nismë është absolutisht e papranueshme, për arsye se vë në lëvizje industrinë e skafeve dhe kjo do të ishte një rikthim i fuqishëm i flukseve të trafiqeve kriminale drejt bregut tjetër të Adriatikut” ka shtuar Berisha.
Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar nga deputetët demokratë angazhim serioz në finalizimin me sukses të 20 prillit, Ditës së Shqipërisë së Pastër.Berisha theksoi se vendi është në prag të sezonit turistik, ndaj duhen masa serioze për pastrimin.
“Çdo ditë në mediat më serioze të fushës ka shkrime dhe përshkrime të bukurive të rralla, të shërbimeve të shkëlqyera, të mikëpritjes së pashembullt, të pasurive të mëdha kulturore dhe historike që ofron Shqipëria.Gjithnjë e më shumë në epiqendër të mediave të interesuara për turizmin vijnë brigjet mahnitëse shqiptare, ujërat e Jonit, rërat e Adriatikut, por ky vit ka një specifikë se janë me dhjetëra e dhjetëra shkrime kushtuar Beratit, qytetit të kodikëve dhe kishave bizhu, të kanioneve dhe shërbimeve të mrekullueshme”, theksoi Berisha.
Reagon Rama në Twitter
Pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e deputetëve reagoi kryesocialisti Rama në rrjetin social Twitter.
“Mbasi e zhyti Shqiperine ne plehra e po e mbyt edhe me plehra nga jashte shtetit,kryeministri thote dilni ne aksion ne date 20 prill pastroni c’bera.Bashkite e bejne perdite kete pune,eshte kryeministri qe i ka lene pa fonde dhe eshte qeveria qe s’ka asnje vizion e plan per pastertine e Shqiperise.Edhe me keq,kjo ishte ide e Shoqerise Civile qe e shpalli per 9 maj dhe kryeministri vrapoi ta vjedhe duke harruar se qeveria e ka kete detyre perdite”, shkruan Rama.
Skafet, nisma e PS në Kuvend
Grupi parlamentar socialist ka dorëzuar në Kuvend një dokument, nëpërmjet të cilit kërkohet shfuqizimi i moratoriumit të skafeve, në fuqi që prej 3 prillit të 2006-s.
Kërkesa, që ishte paralajmeruar nga deputeti Artan Gaci është depozituar në Kuvend në prag të nisjes së sezonit turistik. Në relacionin përkatës që shoqëron nismën ligjore, deputetët socialistë thone se “po bëhen gjashtë vjet nga moratoriumi i skafeve dhe se edhe pse mund të jetë konsatuar ulje e trafikut të drogës, veçanërisht në periudhën e parë, moratoriumi pati efekte shkatërrimtare dhe paralizuese për turizmin detar”.
”Nje ligj i tille”, vijohet me tej “pavaresisht nga kufizimi i dukshëm i të drejtave të njeriut, mund edhe të justifikohej tre vitet e para, por kjo kohë duhet të shërbente për fuqizimin dhe pajisjen e strukturave shtetërore përkatese që duhej të merrnin në vijim situatën nën kontroll”.
”Rinovimi i këtij moratoriumi për një trevjeçar të dytë është tërësisht i pajustifikuar”, thonë deputetët socialistë, “duke marrë parasysh se tani flasim për një vend që është antar i NATO-s. Për më tepër, në dy vitet e fundit po vihet re një devijim i rrugëve, mjeteve dhe mënyrave të trafikut, duke e bërë moratoriumin e skafeve praktikisht të paefektshëm”.
Top Channel