Kur duhet më shumë se një vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ish-të përndjekurit janë shndërruar në argument elektoral.
Brenda një dite dy shoqata të ndryshme janë rreshtuar njëra kundër qeverisë dhe tjetra kundër opozitës, për cështjen e kompensimit. Fillimisht, Shoqata e ish-të Dënuarve Politikë. Për të korrigjuar padrejtësitë e një qeverie, sipas saj “hajdute dhe antikombëtare”, kjo shoqatë i ka paraqitur Avokatit të Popullit 7 kërkesa: brenda 2 vjetëve, ish-të përndjekurit duhet të dëmshpërblehen ose me para, ose me 10% të aseteve të të gjitha veprave të ndërtuara gjatë komunizmit me punën e tyre. Po ashtu, ish-të përndjekurve u duhen dhënë koncesione në minierat, ku ata kanë punuar, pra në Spaç, Gurth, Qafë Bari, etj. Kërkohet përfaqësim politik i ish-të përndjekurve në institucione dhe njohja e statusit politik për ish-të përndjekurit, pension special për të gjithë ish-të përndjekurit, hapja e dosjeve dhe kërkim falje nga të gjithë funksionarët shtetërore nga viti 92 e më pas, për “paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë që kanë treguar gjatë 20 vjetëve kundrejt ish-të përndjekurve”.
Ish të perndjekurit Antikomunistë: PS të kërkojë falje
Pak pasi kjo letër u shpërnda me e-mail për mediat, Shoqata Antikomuniste e ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë paraqiti edhe ajo disa kërkesa, por kësaj here për opozitën. Pa u ndalur në kërkesën konkrete të opozitës, për uljen e moshës së kompensimit nga 85 në 75 vjec, përfaqësuesja e kësaj shoqate Lili Ndozi kërkoi: “Nese vertete Partia e Enver Hoxhes ka reflektuar, se pari duhet te kerkoje falje, se dyti te liroje shtepite e grabitura ish-pronareve ne’45, se treti te tregoje ku i kane varrosur mijëra shqiptaret qe s’u gjenden eshtrat, se katerti nese vertete kerkon te kontribuoje ne skemen e demshperblimit te te denuarve pa faj nga Kristaqi me shoke, te perfshije ne skeme konfiskimin e pasurive te atyre qe shkaktuan demin, dmth: Fehmi Abdiut, Gramoz Rucit, Xhelil Gjonit, Hamit Beqes, Kristaq Rames etj”.
Përfaqësuesja e Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë e mbylli, duke thënë se në vitin 2013 ish-të përndjekurit nuk do ta mbështesin Partinë Socialiste.
Top Channel