Muamba i shëruar, publikon foto në Twitter

30/03/2012 18:45

Fabrice Muamba, mesfushori i Boltonit i cili para dy javësh pësoi një infarkt në zemër gjatë një ndeshjejë të Kupës së Anglisë, publikoi të premten në rrjetet sociale një fotografi të tijën ku duket i shëruar dhe i buzëqeshur.

“Fabrice donte që të publikoja këtë foto për të gjithë ju që keni treguar mbështetje për të në këtë moment të vështirë”, shkroi një pjesëtar i familjes së mesfushorit anglez me origjinë kongoleze në Twitter.

Në foto shihet Muamba duke buzëqeshur në krevatin e Chest Hospital të Londrës. Futbollisti 23-vjeçar u rrëzua pa ndjenja në fushën e lojës në minutën e 41 të takimit që ekipi i tij po luante përballë Tottenham, më 17 mars.

Sipas mjekut të Bolton, Jonathan Tobin, lojtari i ri ishte i vdekur klinikisht për më shumë se 1 orë.

Pas disa ditësh në gjendje kritike, Muamba pati përmirësim dhe filloi të merrte frymë pa ndihmën e aparaturave dhe nisi të komunikonte me familjarët. Tobin e konsideroi rekuperimin e Muamba si një mrekulli. Gjithsesi mjekët e spitalit ku është shtruar futbollisti mendojnë se ka ende shumë rrugë deri në rekuperimin e plotë të Fabrice Muamba.

Top Channel