Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës ka njoftuar të enjten institucionet shtetërore se janë debitorët kryesorë të saj.
Përmes një njoftimi për shtyp, UKT ka bërë të ditur se borxhi i institucioneve shtetërore rezulton të jetë rreth 1 milion e 800 mijë dollarë.
“13 komuna e bashki janë debitore me 500 mijë dollarë, 5 prej tyre zënë peshën kryesore. Ndërsa pjesa tjetër e borxhit, 1 milion e 300 mijë dollarë, vjen nga institucionet buxhetore”, ka deklaruar UKT.
Ndërmarrja ka paralajmëruar më tej institucionet debitore që të shlyejnë detyrimet, në të kundërt do të përballen me ligjin.
Në fillim të muajit ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve kaloi në varësi të Bashkisë së Tiranës, vendim i cili u miratua vetëm me votat e mazhorances në Këshillin Bashkiak.
Këshilltarët socialistë votuan kundër për shkak se në kohën, kur sipas ligjit Ujësjellësi duhej t’i kalonte Bashkisë, detyrimet ndaj të tretëve nuk shlyheshin nga qeveria, ndërkohe që tani po.
Të majtët denoncuan edhe faktin se, qeveria për më tepër ia kaloi bashkisë aktuale Ujësjellësin në një kohë kur rriti edhe çmimin e ujit të pijshëm.
Përveçse kundërshtuan, këshilltarët socialistë i kërkuan kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha që të ndëshkohen përgjegjësit që i faturuan tarifën e pastrimit në faturën e Ujësjellësit kategorive në nevojë. .
Top Channel