Barcelona ankohet për terrenin e San Siros

29/03/2012 15:20

Lojtarët dhe stafi teknik i Barcelonës ishin shumë të pakënaqur pas ndeshjes ndaj Milanit me gjendjen e terrenit të San Siros.

Tekniku katalanas Guardiola shprehu keqardhjen që “dy ekipe të mëdha si Milan dhe Inter luajnë në një fushë të tillë”. Edhe administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani, pranoi se terreni ku luan ekipi tij duhet zëvendësuar.

Por Barcelona nuk e ka lënë me kaq. Klubi spanjoll ka vendosur që të ankohet edhe tek UEFA për terrenin e vështirë të stadiumit milanez. Ankesat i janë bërë publike delegatit të organizmit më të lartë drejtues të futbollit europian, bullgarit Mikalai Varabyov.

Lajmin e ka bërë të ditur F.C Barcelona me anë të një komunikatë në faqen zyrtare.

“Varabyov e ka përfshirë ankesën tonë në relacionin e ndeshjes dhe UEFA do i kërkojë shpjegime Milanit”, shkruhet në komunikatën e ekipit blaugrana.

Cerekfinalja e parë Milan-Barcelona përfundoi me rezultatin 0-0 dhe gjithçka do të zgjidhet në ndeshjen e kthimit në Camp Nou, të martën e ardhshme.

Top Channel