“Pse po e çoj foshnjen në jetimore”

29/03/2012 19:45

Një grua që ka braktisur foshnjen e saj në Shtëpinë e Fëmijës rrëfen arsyet në emisionin ‘Pasdite në Top Channel’.

“Kam gjashtë vite e martuar dhe pas shumë kohësh vendosëm të kishim një fëmijë. Familja e burrit përbëhej nga tetë persona dhe ishin në një gjendje ekonomike të dobët. Kur mbeta shtatzanë burri nuk punonte dhe u bë më i dhunshëm se më pare”, shprehet gruaja.

“Unë isha shitëse dhe burri nuk donte që unë të lindja fëmijën sepse më pas duhej të lija punën. Isha shtatzënë pesë muajshe kur u largova nga familja e burrit. Kontaktova me një mikeshë timen jashtë shtetit dhe ajo më ofroi mundësinë të qëndroja në banesën e saj bashkë me familjen e saj”, shton gruaja.

Ajo është e kënaqur sepse e di që fëmija e saj është në duar të sigurta: “Fëmija im për momentin është në Shtëpinë e Fëmijës. Jam e kënaqur pak a shumë sepse e di që aty po kujdesen për të.”

Por, shpreson që një ditë të ribashkohet me fëmijën: “Unë nuk dua ta braktis fëmijën tim, por për momentin nuk mund ta marr sepse nuk kam punë dhe nuk kam mbështetje. Shpresoj që një ditë ta kem sërish pranë fëmijën tim.”

Gruaja shprehet se nga familja e saj nuk ka pasur kurrë mbështetje: “Nuk kam pasur kontakt me prindërit e mi dhe nuk më kanë mbështetur. Familja ime nuk ishte dakord me martesën dhe u martova pa dëshirën e prindërve. Që atë kohë unë i kam humbur kontaktet me prindërit. Unë i kam kërkuar ndihmë sepse burri më dhunonte, por ata nuk më janë përgjigjur.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA