Ai nuk i dallon ngjyrat, për të bota është bardhë e zi. Andit Cani sheh vetëm silueta njerëzish. Që kur ishte 8-muajsh kaloi një temperaturë të lartë, e cila e la me pasoja të rënda për të gjithë jetën.
“Isha i distancuar nga të tjerët megjithatë doja të dilja dhe të bëja gjithçka që bënin fëmijët e tjerë, por kjo ishte e pamundur”, shprehet Anditi.
Një nga familjarët që e ka përjetuar më shumë këtë situatë, ka qenë Vangjeli, babai i Anditit: “Mua sikur më pikonte në zemër kur djali kërkonte të bënte diçka e që nuk e arrinte dot. Vetëm unë e di se çfarë ndieja, por nuk kisha çfarë t’i bëja.”
Megjithatë djaloshi nga Bërsnika e Gramshit nuk u dorëzua. Ai shkoi në Tiranë për të marrë mësimet e para në një shkollë të specializuar për mësimin e të verbërve. Por as këtë herë nuk ishte e lehtë për asnjë nga pjesëtarët e familjes. Ja çfarë na tregon Këzja, nëna e Anditit.
“Kur e çova për herë të parë në shkollë ishte tmerrësisht e vështirë. Ai qante. Që atëherë nuk shkova më në Tiranë.”
Të gjithë u treguan entuziastë për të arsimuar djalin e vetëm të familjes. Ata kërkonin që fëmija i tyre të ecte përpara në shoqëri, duke marrë parasysh të gjitha vështirësitë.
“Nga unë dhe nga mami Anditi nuk do mund të mësonte asgjë, kështu që e lashë dhe e nxita të mësonte. Doja të bëhej dikushi”, thekson i ati.
Të ecësh në rrugët e kryeqytetit, kur ke vetëm 20% të shikimit, herë i shoqëruar e herë i vetëm nuk është e thjeshtë.
Anditi tregon: “Ka pasur raste që jam përplasur me njerëzit në rrugë dhe menjëherë kam kërkuar falje, por jo të gjithë janë treguar dashamirës. Ka nga ata që më kanë thënë: Kujdes! Nuk shikon!!!”
Por as këtë herë nuk dorëzohet, madje i ka vënë vetes edhe një qëllim: të gjejë shoqen e jetës.
“I propozova një vajze. Ajo vazhdonte ciklin e ulët, kishim kohë që dilnim dhe ishte koha t’i shprehja dashurinë, por mora përgjigje negative”, deklaron Anditi.
Të gjejë dashurinë e jetës dhe të bëhet komentator sportiv janë dy pikat e tij të dobëta. Pavarësisht se nuk arrin të shohë lojën ai ndjek zërin e komentatorit të tij të preferuar Shakohoxha. Ka fiksuar numrat e lojtarëve të skuadrave më të mëdha.
Emisioni ‘Pasdite në Top Channel’ i përgatiti një surprizë Anditit duke e çuar në studiot e “SuperSport”-it, ku u takua me Dritan Shakohoxhën.
“Ndihem shumë i emocionuar, ëndrra ime u bë realitet. Është e pabesueshme”, theksoi Anditi pasi ndoqi një ndeshje në studion e komentit.
Top Channel