Mourinho: Mund të rikthehem tek Interi

28/03/2012 16:10

Mourinho ndjen ende nostalgji për Interin. Trajneri aktual i Realit të Madridit, që ndihmoi skuadrën zikaltër të fitojë 3 tituj brenda një sezoni, në një intervistë për mediat italiane nuk e ka përjashtuar mundësinë që të rikthehet tek skuadra milaneze.

“Mund të ndodhë që një ditë të kthehem tek Interi. Aty jam ndjerë si në shtëpinë time”, deklaroi tekniku portugez duke komentuar më pas edhe situatën e vështirë në të cilën ndodhet Interi këtë sezon, tërësisht jashtë çdo objektivi e për më tepër, në rrezik për të mos marrë pjesë në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.

“Më vjen vërtet keq për gjendjen në të cilën ndodhet Interi. Shpresoj që sezoni i ardhshëm të jetë më i mirë. Nuk e mendoja që cikli i kësaj skuadre do të mbyllej kaq shpejt. Në sezonin 2009-2010 gjithcka ishte fantastike dhe nuk mund të përsëritet më. Mendoj që të gjithë trajnerët që më zëvendësuan patën një barrë të rëndë mbi supe”, u shpreh Mou.   

Top Channel