Stramaçioni debuton tek Interi: Nuk kam frikë

27/03/2012 21:20

36-vjeçar dhe pa asnjë përvojë në futbollin e rëndësishëm, trajneri i ri i Interit nuk flet për frikë, por për një ëndërr që bëhet realitet.

Ndonëse ky nuk është aspak momenti i favorshëm për të marrë në drejtim zikaltërit, të tetët në kampionat dhe jashtë çdo objektivi, Andrea Stamaçioni theksoi se: “Emërimi si trajner i Interit është një ëndërr që bëhet realitet. Personalisht vij nga një moment i mirë, nga fitimi i Champions me 19-vjeçarët dhe ndiej që kam energji të reja për t’i transmetuar këtij grupi”.

Në konferencën e parë për shtyp, trajneri zikaltër pranoi se nuk ishte vetëm shtypi dhe tifozët ata që u befasuan nga zgjedhja e Morattit. “Kur më telefonoi, nuk po e besoja. Presidenti Moratti më ka dhuruar një ëndërr dhe shpresoj të jem në gjendje ta nderoj. Interi është një botë tjetër. Skuadra e parë është vite dritë larg nga ajo e të rinjve”.

I pyetur në ndihet i frikësuar përballë përgjegjësisë që i është besuar, Stramaçioni dha një përgjigje të prerë. “Për mua është një krenari e veçantë që do të drejtojë këta kampionë që deri një ditë më parë i adhuroja nga televizori. Frikë? Po të kisha, nuk do të zgjidhja të bëja këtë profesion në jetën time. Nuk ka frikë, vetëm dëshirë për të punuar sa më shumë në fushë”.

Përzgjedhja e trajnerit të të rinjve në krye të zikaltërve, ka bërë që të spekulohet për marrjen e disa talenteve kampionë të Europës në skuadrën e parë. “Është një çështje delikate. E qartë është se të rinjtë tanë janë me të vërtetë të talentuar dhe përbejnë një pasuri të çmuar për klubin. Përzgjedhja e momentit se kur do t’i jepet shansi për të debatuar është një çështje jo e lehtë, sepse mund të dëmtojë zhvilliin e një lojtari. Nuk mund të spekuloj në këtë moment për ndonjë rifreskim të mundshëm të grupit. E rëndësishme është që futbollistët të ndihen të rinj brenda, siç ndodh me kapitenin Zanetti”, u përgjigj 36-vjeçari.

Stramaçioni mbërrin në një skuadër që ka pësuar zhgënjime të njëpasnjëshme në Europë dhe kampionat, ku vendi i tretë apo kualifikimi në Europa League duken shumë larg. “Duhet të motivohemi vetëm nga ndeshja e ardhshme. Duke nisur nga e diela, kundër Xhenoas, duhet të japim më të mirën në fushë për të arritur një fitore. Nuk ka sens të fiksojmë në këtë pikë objektiva afatgjatë. Qëllimi ynë i vetëm është të bëjmë një punë sa më të mirë ndeshje pas ndeshje”.

Në vizitën e debutimit të Stramaçionit në “Appiano Gentile”, përpara nisjes së konferencës për shtyp, në qendrën stërvitore të Interit pati edhe një surprizë të dytë, mbërritja e Mario Balotellit me një Ferrari. Sulmuesi i Sitit, i ndodhur në Milano, deshi të takonte për disa minuta ish-shokët e skuadrës.

Top Channel